AKR-ja e Pacollit do të largohet nga koalicioni, Haradinaj ka dy vota plus

Prishtinë | 02 Shk 2018 | 23:01 | Nga

Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit ishte faktori kyç në formimin e qeverisë Haradinaj, por ajo me gjasë nuk do të jetë edhe shumë gjatë pjesë e këtij ekzekutivi.

AKR e cila tani ka vetëm dy deputetë në Kuvend, vazhdon të ketë hise shumë të madhe në qeveri. Partia e biznesmenit Pacolli, drejton me tri ministri në qeverinë Haradinaj, dy prej të cilave më të rëndësishmet – ministria e Punëve të Jashtmëve që drejtohet nga vet Pacolli, dhe ministria e Punëve të Brendshme, me ministër Flamur Sefajn.

Burime të Gazetës Metro kanë bërë të ditur Haradinaj në njërën anë, dhe Pacolli në anën tjetër janë duke shikuar alternativa për t’u ndarë, pasi edhe nëse AKR largohet, Haradinaj ka numrat e mjaftueshëm që të mos e rrezikojë rënien e qeverisë së tij.

Koalicioni qeveritar aktual në Kuvend zyrtarisht ka 61 vota, dhe nëse do të dilte AKR, atëherë do të mbetej me 59, por situata me numrat në Kuvend qëndron më ndryshe se sa shikimi prej këtij këndi.

Ky burim i ka thënë Gazetës Metro se Haradinaj ka arritur të marr besimin e deputetit të AKR’së, Labinot Tahiri, që edhe nëse partia e tij largohet nga Qeveria, ai nuk do të votonte pro rrëzimit të ekzekutivit, dhe do të mbështeste iniciativat ligjore në Kuvend, kur vota e tij të jetë e nevojshme.

Haradinaj para një jave kishte pritur edhe në zyrë deputetin Tahiri, duke lëshuar më pas një komunikatë për media, ku thoshte se e vlerëson angazhimin e tij të sinqertë për temat e interesit nacional në vend.

“Kënaqësi të bashkëbisedoj me deputetin, Labinot Tahiri, për temat aktuale në vend dhe preokupimet e qytetarëve tanë. E vlerësoj angazhimin e tij të sinqertë për t’u dhënë zgjidhje temave të interesit nacional, në të mirë të qytetarëve”, kishte thënë kryeministri.

Në anën tjetër, Haradinaj votë ‘xhoker’ ka edhe atë të deputetes Teuta Rugova, e cila gjithashtu ishte një nga faktorët që i hapi rrugë zhbllokimit të krijimit të institucioneve nga koalicioni parazgjedhor PAN. Me këto dy vota, të deputetes së LDK’së Teuta Rugova dhe të deputetit Labinot Tahiri, qeveria sërish do të kishte shumicën e nevojshme prej 61 votash.

Vota e Rugovës tani kur EULEX është tërhequr nga rasti gjyqësor i vëllait të saj Ukës, dhe ai i është kaluar gjykatës përkatëse vendore, duket të jetë edhe më e sigurt. Kjo u pa edhe nga ajo, kur menjëherë pas tërheqjes së EULEX’it nga rasti gjyqësor i Ukë Rugovës, familja e ish’presidentit u prit në zyrat e kryeministrit Haradinaj në qeveri.

Stabilitet qeverisë Haradinaj, edhe nëse del Pacolli nga koalicioni do t’i sigurojnë edhe deputetët e grupit të ri të ardhshëm parlamentar që do të formohet nga të pakënaqurit e Vetëvendosjes. Ky burim ka thënë, se grupi i ardhshëm parlamentar i ndarë nga VV nuk do të ketë interes që të shkohet shpejt në zgjedhje, pasi u duhet kohë për ta konsoliduar partinë e re që pritet ta formojnë në javët në vijim.

Gjithashtu, sigurimi i stabilitetit të qeverisë Haradinaj me votat e grupit anti-Kurti lidhet edhe me stabilitetin në qeverisjen komunale në Prishtinë, të drejtuar nga Shpend Ahmeti, i cili në koalicionin komunal, ka AAK’në.

Shenja të daljes së AKR’së nga Qeveria ka dhënë edhe vet Pacolli me disa deklarata të ditëve të fundit.

Ai në një rast duke komentuar bllokimin e Demarkacionit, ka thënë se kjo qeveri është përgjegjëse që ato ti çoj përpara, dhe në të kundërtën, kësaj qeverie do t’i humbte kuptimi.

Kurse Haradinaj i pyetur nëse Pacolli me këtë deklaratë ka dhënë shenja të daljes nga koalicioni, ka thënë se nuk dëshiron të jap asnjë koment për këtë.

Problem tjetër pse Haradinaj është duke u joshur nga ideja e largimit të AKR’së nga koalicioni, është edhe hisja shumë e vogël që partia e tij AAK ka marrë në këtë qeveri. AAK ka vetëm dy ministri edhe pse numrin e deputetëve në Kuvend e ka pothuajse pesëfish më të madh se sa partia e Pacollit. /gazetametro.net

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme