AKR-ja e pranon dorëheqjen e Sefajt, i përgatit Raport Special kryeministrit për gylenistët

Prishtinë | 01 Pri 2018 | 16:19 | Nga

Zyrtarë të AKR-së kanë konfirmuar për Express se kanë pranuar kërkesën për largimin e Flamur Sefajt nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme. Por, para se të zyrtarizohet largimi, ministri do t’i dërgojë një Raport Special kryeministrit Haradinaj se çka ka ndodhur me deportimin e 6 gylenistëve.

Përfundimisht, AKR-ja është pajtuar që të pranojë kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për ta larguar Flamur Sefajn nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme.

Por, para se të ndodhë ky veprim, AKR-ja ka paralajmëruar se do t’i dërgojë Raport Special kryeministrit me gjithçka që ka ndodhur me dëbimin e gjashtë gylenistëve.

“Do të zbulohen të gjitha detajet e këtij veprimi. Do të shihet si është vepruar, nëse dikush ka keqpërdorë detyrën dhe detaje tjera. Kërkesa e Haradinajt është pranuar dhe z. Sefaj do ta pranojë kërkesën e Shefit të Qeverisë”, ka thënë njëri prej nënkryetarëve të AKR-së, i cili s’ka dashur t’i përmendet emri.

Sipas tij, Sefaj dhe zyrtarët tjerë të AKR-së janë duke bërë hulumtim të detajuar se pse ka ardhur deri te deportimi i gylenistëve dhe cilat mekanizma institucional janë përfshirë.

“Do të shihet nëse ka pasur lëshime prej ministrit, do të shihet nëse e kanë keqpërdorur z. Sefaj dhe detaje të tjera. Do të precizohen edhe kush ka qenë i përfshirë në gjithë këtë aksion”, ka shtuar ai.

“Largimi i z. Sefaj nuk do të ndodhë pa u sqaruar të gjitha detajet. Ai ka pranuar të largohet dhe ne do të hartojmë një Raport Special. Do t’i dërgohet kryeministrit javën e ardhshme’, ka shtuar ai.

Pos Flamur Sejfat, kryeministri Haradinaj ka kërkuar largimin edhe të shefit të AKI-së, Driton Gashi. As ky i fundit ende nuk është larguar nga pozita e udhëheqjen e AKI-së pasi për këtë ende nuk është pajtuar presidenti Hashim Thaçi.

Të shtunën, Haradinaj tha se përpos që u ka kërkuar lirimin e pozitave, ata tashmë janë shkarkuar dhe duhet të shkojnë në shtëpi, pasi nuk kanë njoftuar atë për dëbimin e gylenistëve nga Kosova.

Gjashtë shtetasit turq u dëbuan nga Kosova me një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kishte revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë. Revokimi kishte ndodhur pasi AKI në bashkëpunim me inteligjencën turke kishin konstatuar se të njëjtit persona përbëjnë rrezik  kombëtar për Shtetin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme