AKR-ja nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni me VV-në

Prishtinë | 17 Nën 2019 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse ende nuk është certifikuar rezultati i zgjedhjeve, AKR-ja, e cila ishte në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe me PD-në dhe të cilët, me përjashtimin e votave të ardhura nga Serbia e kanë kaluar pragun, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje e cila doli fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, në një përgjigje për Koha.net ka thënë se lidhur me koalicionin do të vendosin duke llogaritur fillimisht interesin e shtetit.

Ai thotë se veprimet të cilat do të merren pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të jenë në harmonizim me dy partnerët e koalicionit me të cilët kanë garuar në zgjedhjet e 6 tetorit, Nisma dhe PD.

“Ky proces i rinumërimit i ka stopuar si duket edhe bisedimet për marrëveshje rreth formimit të qeverisë edhe dy partitë fituese, VV-në dhe LDK-në, andaj edhe ne ende nuk kemi menduar rreth përfshirjes apo mospërfshirjes sonë në koalicionin qeverisës. Ju e dini se ne kemi garuar në këto zgjedhje në koalicion edhe me dy parti tjera, andaj edhe veprimet në të ardhmen do të jenë të menduara, të planifikuara dhe të sinkronizuara së bashku”, ka thënë ai.

Gjuhën e cila po mbretëron ndërmjet subjekteve politike, Makolli e ka quajtur të dëmshme. Ai ka bërë thirrje që partitë t’i respektojnë rregullat e demokracisë dhe verdiktin e sovranit.

“Ne jemi parti liberale demokratike dhe i respektojmë mendimet dhe sugjerimet e çdo njërit anëtar, por vendimet merren në organet gjegjëse të partisë, duke respektuar rregullat demokratike dhe duke pas parasysh në rend të parë interesat shtetërore. Kakofonia që po mbretëron në mes të subjekteve politike është shumë e dëmshme, andaj si asnjëherë më parë, subjektet tona politike duhet që t’i respektojnë rregullat e demokracisë dhe verdiktin e sovranit, duke marrë vendime që kishin me qenë ekskluzivisht në interes të shtetit dhe popullit”, ka thënë ai.

Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe zyrtarë të Nismës Socialdemokrate, por se të njëjtit kanë thënë se ende nuk kanë ndonjë qëndrim zyrtar rreth kësaj çështje.

Ndërkaq burime brenda Vetëvendosjes, i kanë thënë Koha.net se deri tani kanë qenë të fokusuar në bisedimet me LDK-në dhe se ende nuk është diskutuar mbi një koalicion me AKR-në.

Ndonëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve, ende po vazhdon procesi i rinumërimit të votave.

Me numërimin e parë të votave nga KQZ-ja, koalicioni Nisma-AKR-PD mbeti nën prag. Pas ankesës së Nisma-s në Gjykatën Supreme për anulimin e votave të ardhura nga Serbia, ankesë e cila u aprovua, ky koalicion e kaloi pragun, mirëpo për shkak të rinumërimit, ky rezultat ende nuk është zyrtar.

E me kalimin e pragut të këtij koalicioni, ulëset në Kuvend të Vetëvendosjes e LDK-së, të cilat janë në bisedime për krijim të qeverisë, janë zvogëluar.

Nga 32 deputetë sa kishte VV-ja, pas rezultateve të para, me vendimin e ri do të ketë 29. E LDK-ja do të pësojë me heqjen e një deputeti, duke mbetur në 28 deputetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme