Aksioni në Karaçevë, Nagavci bën thirrje të votohet rezoluta e propozuar nga VV-ja

Prishtinë | 19 Sht 2020 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se e mirëpresin operacionin e mbrëmshëm në fshatin Karaçevë, nga Komuna e Kamenicës në bashkëpunimin me prokurorinë, policinë dhe inspektoratin policor.

“Ky operacion sipas njoftimit është rezultat i një hetimi një vjeçar, i bashkëpunimit të institucioneve e agjencive shtetërore, por edhe i aktivizmit qytetar, presionit publik sikurse dhe angazhimit të deputetëve e komisionit funksional të Kuvendit të Republikës”.

“Aksione të tilla, rezultatet konkrete në luftimin e krimit e korrupsionit duhet të jenë të vazhdueshme e të natyrshme. Secili institucion dhe zyrtar publik duhet të kryej me kompetencë, përgjegjësi e nderë detyrën që merr përsipër”.

Nagavci ka thënë se operacioni i Policisë së Kosovës nuk zëvendëson obligimin e ministrit të punëve të brendshme, Agim Veliut, të mbajë të informuar Kuvendin për secilën çështje që është me interes, ashtu sikurse ishte dhe interpelanca e djeshme e ftuar nga VV në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës.

“Patrullimi i pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë nëpër rrugët e fshatit Karaçevë u regjistrua nga banorët e fshatit, u dëshmua nga të pranishmit si dhe u konfirmua nga Policia e Kosovës, andaj është detyrë e institucioneve të sigurisë mbrojtja e integritetit të vendit, e secilit qytetarë”.

“Ndërkohë dhe Kuvendi duhet të miratoi Rezolutën e propozuar nga LV! me dy pikat si mē poshtë:

  1. Institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin masat e nevojshme dhe t’i përdorin të gjithë mekanizmat kushtetues e institucional për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
  2. Brenda dy muajve të vendoset një nën-stacion i përhershëm i Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të Kamenicës”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook.

Të ngjashme