Aktivizimi i partive politike në diasporë – ekspertët: Bashkatdhetarët po shihen vetëm si vota e para

Prishtinë | 14 Maj 2022 | 08:43 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partitë kanë shtuar aktivitetet e tyre politike në diasporë, duke mbajtur tubime e njoftuar për aktivizim degësh e aderime të reja. Lidhur me këtë ekspertët thonë se këto veprime të partive vijnë pasi në zgjedhjet e fundit është parë se diaspora ka luajtur rol të rëndësishëm në vjeljen e votave, raporton Ekonomia Online.

Por ata po kërkojnë që të ketë komunikim të dyanshëm e të mos shihet diaspora vetëm si vota e para.

Drejtori i organizatës “Germin”, Lirim Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online tha se partitë politike e kanë parë potencialin elektoral të diasporës, për këtë arsye kanë shtuar aktivitetin e tyre politik edhe jashtë vendit.

Sipas tij me votat e tyre në zgjidhjet e fundit janë siguruar më shumë se pesë deputetë.

“Po kjo po ndodh natyrshëm që në zgjedhjet e fundit diaspora ka luajtur një rol mjaft të madh në zgjedhje duke mbështetur masovikisht një parti politike e cila vetëm nga votat e diasporës ndoshta ka siguruar më shumë se 5 deputetë. Duke parë këtë potencial elektoral që ekziston në diasporë partitë politike natyrshëm me qëllime elektorale kanë shpeshtuar aktivitetin në diasporë. Në njërën anë kjo është e natyrshme dhe goxha e arsyeshme nga ana e partive për të targetuar një elektorat të cilin më parë e kanë neglizhuar”.

Krasniqi thotë se ky aktivizim duhet të shihet me pozitivitet pasi jep sinjal se partitë në vend e kanë seriozisht përfshirjen e diasporës në vendimmarrje.

“Po kjo shkon në të njëjtën linjë me rritjen e votës dhe përkrahjes në diasporë edhe shumë më mirë është ndoshta që pjesëtarët e diasporës të bëhen pjesë e mekanizmave, strukturave të ndryshme sepse kjo jep një sinjal që partitë politike në Kosovë e kanë njëmend angazhimin e diasporës dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje në strukturat e tyre vendimmarrëse. Kjo duhet të shihet ndoshta me pozitivitet mbetet të shihet se cilat janë qëllimet ose synimet e vërteta dhe sa të sinqerta janë këtë përpjekje të partive politike për të akomoduar pjesëtarët e diasporës brenda strukturave të tyre”.

Por sipas tij, duhet t’u jepet më shumë hapësirë profesionistëve jashtë vendit në mënyrë që ata të japin kontributin e tyre në Kosovë.

“Roli i diasporës në politikëbërje nuk është aq i madh sa është potenciali. Ka shumë më shumë potencial se që ka pasur diaspora rol në vendimmarrje në Kosovë gjatë këtyre viteve. Ne vazhdimisht kemi avokuar që të krijohen sa më shumë hapësirë për profesionist të diasporës, për kapacitetin intelektual që e kemi jashtë vendit në mënyrë që ata të japin kontributin e tyre në Kosovë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por, gjithashtu edhe të shërbejnë si ura lidhëse mes Kosovës dhe botës”.

Tutje ai thotë se komunikimi duhet të jetë i dyanshëm në mënyrë diaspora të mos shihet vetëm si shumë financiare, raporton EO.

“Të ofrohet më shumë hapësirë por jo vetëm, po të ketë një komunikim të dyanshëm ku diaspora nuk shihet vetëm si para ose si shuma financiare. Po të shihet si pjesë integrale e zhvillimeve politike sociale dhe ekonomike në Kosovë. Dhe me të komunikohet siç komunikohet me gjithë të tjerët në Kosovë. Edhe anasjelltas diaspora ta sheh Kosovën si pjesë të saj ku koontribon në vazhdimësi edhe ku tenton të jap kontributin e saj në fusha të ndryshme”.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku për Ekonomia Online tha aktivizimi i partive politike në diasporë po ndodh pasi partitë politike në zgjedhjet e fundit, një numër të madh të votave kanë marrë nga atje.

“Kjo ndodh kjo kryesisht për faktin që në zgjedhjet e fundit e dimë se Lëvizja Vetëvendosje ka marr një numër të madh të votave nga diaspora që e ka rritur përqindjen e votave të përgjithshme në zgjedhjet nacionale madje ka pasur edhe vota që kanë ardhur për kryetar të komunave nga diaspora. Kjo i ka mobilizuar edhe partitë e opozitës që në njëfarë forme të shkojnë në diasporë dhe të mobilizojnë elektoratin e tyre. Për vetë faktin se ai mund të jetë ndoshta edhe përcaktues për të marrë le të themi fitoren e mandateve dhe të zgjedhjeve në nivel nacional po ashtu edhe në atë lokal”.

Sadiku thekson se qëllim kryesor i partive politike me rritjen e aktiviteteve politike jashtë vendit është rritja e votueseve.

“Qëllimi kryesorë është rritja sa më e madhe e votueseve dhe në anën tjetër ndikimi në përgjigjen totale të votuesve të cilët edhe votave që mund ti marrin partitë politike nga zgjedhjet qoftë nacionale apo edhe lokale. Kjo shpesh herë mund të jetë përcaktues, kur e dimë që shpesh herë ndodh në zgjedhje që ndoshta që për 1% ose më pak se 1% a 100 vota në zgjedhjet lokale e kemi pasur zgjedhjet komunale në Dragash, njëherë ka fituar pozita dhe më vonë është dal që ka fituar opozita”.

Sa i përket rolit të diasporës, ai thotë se duhet që persona kompetent të merren me angazhimin e diasporës në promovimin e vlerave të Kosovës në vendet ku atje jetojnë.

Madje ai kërkon që të mblidhen fonde nga mërgata që t’i ndihmohet vendit sidomos në këtë periudhë të krizës, pas luftës në Ukrainë.

“Konsideroj që përveç marrjes së votës nga diaspora ne duhet t’i bëjmë ata edhe aktiv si deputetë në Parlamentin e Kosovës dhe t’iu japim një resort të caktuar që mund të jetë ndonjë zv.ministër për Diasporë apo ndonjë ministër i caktuar i cili ka të bëjë drejtpërdrejtë me diasporën, çështjet e tyre, preokupimet dhe angazhimin e tyre qoftë për promovimin e vlerave të Kosovës dhe të historisë së Kosovës në diasporë”.

“Në të njëjtën kohë edhe për mbledhjen e fondeve nga diaspora për t’i ndihmuar ekonomisë së kosovare veçanërisht përmes investimeve të huaja direkte që mund të jenë një lokomotivë e mirë për ngritjen e ekonomisë kosovare e cila është në një krizë të veçantë pas pandemisë e pas luftës që ka ndodhur midis Ukrainës dhe Rusisë”.

Të ngjashme