Aktivizohet presidentja Osmani, takon ambasadorin Hovenier dhe ia çel temën e dialogut strategjik Kosovë-SHBA

Prishtinë | 04 Qer 2022 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës dje ka pritur në takime të ndara në Presidencë, shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Lidhur me këto takime janë lëshuar njoftime në faqen zyrtare të Presidencës së Republikës së Kosovës. Për takimin me shefin e EULEX-it në njoftimin e presidencës thuhet se është bisduar për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me ato ndërkombëtare në fusha të ndryshme.

Tema të prekura në takimin Osmani-Wigermark janë implementimi i Konventës së Stambollit dhe procesi i Vetingut në Kosovë.

“Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen, të cilën EULEX-i ia ofron në luftimin e dhunës në baza gjinore, konkretisht në punën e misionit në ofrimin e asistencës për institucionet vendore për implementimin e Konventës së Stambollit.Me z. Wigemark, Presidentja Osmani diskutoi edhe për sundimin e ligjit, duke vlerësuar rëndësinë e vetingut në sistemin e drejtësisë me ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore si i domosdoshëm për ta forcuar sundimin e ligjit, duke respektuar standardet më të larta ndërkombëtare sa i përket këtij procesi”, thuhet në njoftim.

Derisa për takimin me ambasadorin amerikan Hovenier nga presidenca kanë thënë se ka qenë në kuadër të takimeve të rregullta, derisa presidentja Osmani gjatë bisedës ka ngritur edhe temën e dialogut strategjik në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

“Në takim është diskutuar për zhvillimet në vend dhe rajon në kuadër të koordinimit të vazhdueshëm në mes Kosovës dhe SHBA-ve.

Me ambasadorin amerikan, Presidentja Osmani ka ngritur çështjen e dialogut strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Të ngjashme