Akuzat se Kosova dha 2 milionë dollarë për njohjen nga Maldivet, flet Pacolli

Prishtinë | 07 Dhj 2019 | 18:01 | Nga Ekonomia Online

Ahmet Shaheed, ish-ministëri i Jashtëm i  Maldiveve, në shtetin e tij po akuzohet se mori dy milionë dollarë për njohjen e Kosovës.

Në parlamentin e këtij shteti madje ishte ngritur një mocion, që bën thirrje për hetimin e kësaj çështjeje, për shkak se hetimet paraprake nga organet e sigurisë nuk nxorën prova, shkruan lajmi.net.

E  ndaj kësaj çështje ka reaguar ministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka thënë se të gjitha thashethemet janë nisur nga një deputet në Maldive i cili është paguar nga Beogradi.

“Beogradi nuk u mbështet nga askush në parlamentin e Maldivëve dhe përfunduan sikur krrokamat e një sorre. Ne Kosovarët jemi jetësishtë mirënjohës ndaj miqëve të Kosovës”, ka shkruar ai.

“Miku im Ahmet Shaheed, ish ministër i puneve të jashtme të Maldivëve, aktualisht në rolin e Raportuesit Special të OKB për të drejtat e njeriut në Iran. Shaheed mbetet miku i madh i imi dhe i Kosovës në rrugëtimin e vet drejt botës së civilizuar. Thashethemet e filluara nga një deputet në Maldive i paguar nga Beogradi nuk u mbështet nga askush në parlamentin e Maldivëve dhe përfunduan sikur krrokamat e një sorre. Ne Kosovarët jemi jetësishtë mirënjohës ndaj miqëve të Kosovës”, shkruajti Pacolli.

Ndryshe, gjithnjë sipas asaj që raportohej në shtypin e këtij shteti, policia nuk kishte arritur të gjente prova se ish-ministri i Jashtëm ka marrë një shumë të tillë për ta njohur Kosovën.

Më tutje, mocioni i paraqitur në parlamentin e këtij shteti citon edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes të cilave ata pretendojnë se i njëjti ka pranuar se ka shpenzuar para për lobim në të mirë të rritjes së numrit të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Sipas mocionit, fakti që për këtë çështje nuk është kryer hetim i plotë, duhet të rikthehet në vëmendje të parlamentit të Maldiveve dhe qytetarëve të këtij vendi.

Madje kërkesat e parashtruara në këtë mocion shkojnë edhe më tutje ; aty kërkohet që të rishikohet vendimi për njohjen e Kosovës, nëse një veprim i tillë është ndërmarrë në pajtim me standardet ndërkombëtare.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme