Albin Kurti: Mund të jem kryeministër, nuk ma ndalon ligji

Prishtinë | 18 Shk 2021 | 22:30 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit, është pyetur nëse frikësohet se a do të mund t’i vihet në pikëpyetje posti i kryeministrit të Kosovës.

Kurti në një intervistë për “Zëri i Amerikës” ka thënë se nuk ka bazë juridike që t’i kontestohet marrja e postit të kryeministrit.

Ai në këtë intervistë ka thënë se ka respektuar vendimet dhe se shumë funksione në shtetin e Kosovës zgjidhen nga kuvendi pa qenë deputet.

“Nuk ka bazë legale juridike për një gjë të tillë. Unë kam respektuar vendimet, mirëpo ne kemi shumë funksione në shtetin e Kosovës që zgjidhen nga kuvendi pa qenë deputet dhe pa ju referuar çështjeve të kontestueshme që janë trajtuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit të kaluar”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se Albin Kurtit me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ishte ndaluar kandidimi për deputet në këto zgjedhje sepse ishte i dënuar në tri vitet e fundit.

Përkundër këtij vendimi Kurti kandidoi në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Vetëvendosje në këto zgjedhje mori mbi 370 mijë vota.

Të ngjashme