Albin Kurti kërkon vota nga PDK-ja, Bytyçi thotë se janë kontaktuar dy deputetë për ta votuar Osmanin

Prishtinë | 04 Pri 2021 | 14:31 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, po akuzohen se kanë dashur të bëjnë pazare me dy deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës me synimin që ata të votojnë në seancën e sotme ku do të synohet sërish që Osmani të zgjidhet shefe e shtetit.

Akuzat vijnë direkt nga zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi. Ai ka thënë se kjo është e ulët dhe e papranueshme. Bytyçi u ka bërë thirrje Kurtit dhe Osmanit që “t’i ndalojnë sekserët të bëjnë kësi lojëra të pista”.

Zëdhënësi i PDK-së është shprehur se nuk njeh deputetë në PDK që shiten me para e privilegje.

“Mbrëmë Albini dhe Vjosa përmes formave të ndryshme i kanë kontaktuar dy deputetë të PDK-së duke u përpjek që të bëjnë pazare në këmbim të votave. Kjo është dicka e ulët dhe e papranueshme. E ftojmë Albinin e Vjosën që t’i ndalin këto lojëra të pista dhe t’i ndalojnë sekserët të bëjnë kësi lojëra të pista. Me aq sa di unë dhe sa e njoh partinë, në PDK nuk ka deputetë që shiten me para e privilegje të Albin Kurti e Vjosa Osmanit. Deputetët e PDK i qëndrojnë besnik vullnetit të votuesve tanë”, ka thënë Bytyçi.

Dje, për një votë më pak në kuti, LVV-ja dhe Lista Guxo nuk arritën ta bëjnë presidente Vjosa Osmanin. Procesi për zgjedhjen e saj dështoi që në tentimin e parë, i cili u përsërit, por pa sukses. Në votim nuk morën pjesë tre deputetë të LDK-së, ish partisë së Vjosa Osmanit. Por problemi nuk qe te mosvotimi i Avdullah Hotit, Agim Veliut e Driton Selmanaj, pasi pozitës i munguan dy deputetë të komuniteteve jo-serbe që pritej të ishin aty. Adem Hoxha nga komuniteti goran dhe Fadil Gashi nga komuniteti rom nuk morën pjesë në seancë, ndonëse kishte marrëveshje për këtë.

Për t’i bërë 80 vota në kuti, ministrja e Drejtësisë nga LVV, Albulena Haxhiu, e ftoi deputetin e PDK-së, Xhavit Haliti, që të vinte dhe të votonte, ashtu siç ky i fundit paraprakisht tha se do ta bënte, por që s’ishte në Prishtinë. Rreth një orë më herët, Xhavit Haliti ishte lajmëruar nga Pogradeci i Shqipërisë, duke u shprehur i painformuar se ka seancë për zgjedhjen e presidentit.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vijuar seancën e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen 80 vota në kuti, ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë.

Të ngjashme