Albin Kurti pranon letër nga homologia e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër nga Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss, si përgjigje në urimin e dërguar me rastin e emërimit të saj.

Truss ka falënderuar Kurtin për letër urimin e dërguar më 6 shtator, si dhe për ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të Madhërisë së saj të ndjerë, Mbretëreshës Elizabetë II.

Ajo po ashtu ka shprehur kënaqësinë për dy takimet me Kryeministrin Kurti gjatë këtij viti, kur ishte Sekretare e Jashtme.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë qartazi në një linjë në shumë fusha dhe ka mundësi të mëdha që dy vendet tona të punojnë së bashku edhe për më së afërmi, ka shkruar Kryeministrja Truss”.

“Mbretëria e Bashkuar ishte krenare për ndihmën dhënë Kosovës në sigurimin e pavarësisë së saj, dhe që ishte vendi i parë që njohu formalisht pavarësinë e saj në vitin 2008, ka shkruar më tej ajo”.

“Do të vazhdoj ta përcjellë Kosovën me interes të madh ndërsa ecni përpara me procesin tuaj të reformës, ka theksuar Kryeministrja Truss në përmbyllje të letrës”.

Letra e plotë e Kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss:

I dashur Kryeministër,

Ju faleminderit për letrën tuaj të 6 shtatorit dhe fjalët tuaja të mira për emërimin tim.

Do të doja të ju falënderoja gjithashtu për ngushëllimet tuaja publike pas ndarjes nga jeta të Madhërisë së saj të ndjerë Mbretëreshës Elizabetë II. Ajo ka qenë një prani e vazhdueshme dhe e qëndrueshme në jetën e vendit tonë për më shumë se shtatë dekada, dhe ishte jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj detyrës dhe promovimit të marrëdhënieve globale të Mbretërisë së Bashkuar.

Ishte kënaqësi që u takova me ju dy herë gjatë këtij viti kur isha Sekretare e Jashtme.

Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë qartazi në një linjë në shumë fusha dhe ka mundësi të mëdha që dy vendet tona të punojnë së bashku edhe për më së afërmi.

Faleminderit gjithashtu për dënimin nga ana e Kosovës dhe zbatimin e shpejtë të sanksioneve si përgjigje ndaj pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia. Është e rëndësishme që partnerët evropianë të qëndrojnë të bashkuar gjatë muajve të vështirë të ardhshëm dhe të reagojnë me hapa të duhur ndaj agresionit rus.

Mbretëria e Bashkuar ishte krenare për ndihmën dhënë Kosovës në sigurimin e pavarësisë së saj, dhe që ishte vendi i parë që njohu formalisht pavarësinë e saj në vitin 2008. Do të vazhdoj ta përcjellë Kosovën me interes të madh ndërsa ecni përpara me procesin tuaj të reformës.

Letra e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Kryeministre,

Në emër të Republikës së Kosovës, ju uroj për zgjedhjen tuaj në krye të Partisë Konservatore dhe Unioniste dhe për emërimin tuaj nga Madhëria e Saj, Mbretëresha, si Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar.

Kontinenti ynë përballet me sfida të shumta që kërkojnë një përgjigje të koordinuar dhe unë ndihem i lehtësuar nga vizioni i qartë që e theksuat në dy takimet tona në fillim të këtij viti.

Ndërsa përballemi me pasojat e pandemisë Covid-19, krizën e energjisë dhe koston e rritur të jetesës, së bashku me autoritarizmin në rritje dhe agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne presim me padurim udhëheqjen tuaj për ta ndihmuar Evropën dhe pjesën tjetër të botës të navigojnë nëpër këto kohë të vështira. Ju lutem, të jeni e sigurt se, teksa e bëni këtë, mund të mbështeteni në partneritetin, bashkëpunimin dhe solidaritetin e Kosovës.

Mbretëria e Bashkuar zë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit të Kosovës, sepse ju na mbështetët në luftën tonë çlirimtare kundër një regjimi gjenocidal. Nuk do të harrojmë kurrë; dhe u jemi përgjithmonë mirënjohës.

Qeveria jonë po punon shumë për t’i realizuar premtimet e saj për vende pune dhe drejtësi për qytetarët tanë duke investuar në kapitalin njerëzor, duke mbyllur hendekun e aftësive përmes ringjalljes së cilësisë së arsimit tonë, dhe duke reformuar sistemin e drejtësisë.

Kryeministre, kam nderin të ju mirëpres në Kosovë në mundësinë e parë që është e përshtatshme për ju. Ju lutem, pranoni urimet e mia më të përzemërta dhe konsideratën time më të lartë ndërsa merrni këtë rol vendimtar në këto kohë sfiduese.

Të ngjashme