Albin Kurti tregon prioritetet që do ketë Qeveria e tij: Nafta jonë është diaspora

Prishtinë | 16 Shk 2021 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Fituesi i zgjedhjeve të përgjithshme të 14 shkurtit, Albin Kurti ka folur për gazetën zvicerane në gjuhën frënge, “Le Temps” se si synon ta transformojë vendin e tij u bërë disa thirrje kosovarëve që jetojnë në Zvicër dhe Evropë.Dy prioritetet e Albin Kurtit, udhëheqësit të partisë së majtë, Vetëvendosje, janë të qarta: ta luftojë korrupsionin dhe të dialogojë me pakicën serbe në Kosovë. Një ditë pas fitores së tij të madhe në zgjedhjet legjislative të së Dielës, ai u pajtua t’i përgjigjej “Le Temps”.Le Temps: Ju keni qenë tashmë Kryeministër për pesëdhjetë ditë, në fillim të vitit 2020. Çfarë mësimesh merrni nga kjo përvojë e shkurtër kur do të ktheheni në këtë zyrë?

Albin Kurti: Ne kemi dy prioritete, punësimin dhe drejtësinë. Kosova është shkatërruar nga papunësia dhe korrupsioni. Kemi nevojë për investime, por asgjë nuk mund të ndodhë pa një luftë të vendosur kundër korrupsionit. Kur isha kryeministër, nisa operacionet e verifikimit të administratës dhe ne do të rifillojmë këtë punë dhe do ta kalojmë ligjin anti-Mafia. Sidoqoftë, gjatë kohës që isha në Qeveri, zbulova një fakt shumë inkurajues: korrupsioni është i përqendruar në majën e shtetit, ai nuk e ka përfshirë gjithë shoqërinë, ndryshe nga vendet e tjera në rajon. Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit votuan për ndryshimin. Ne duam t’i japim fund një “Regjimi të Vjetër” ku elitat e korruptuara akumulojnë pasurinë.

Gjatë fushatës, ju e denoncuat shumë këtë “Regjim të Vjetër”. Kush dhe çfarë është ky regjim?

Nga të gjitha partitë që kanë ardhur në pushtet që nga viti 1999.

A po e mbështetni diasporën për ta rritur ekonominë e Kosovës?

Një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë, veçanërisht në Gjermani ose Zvicër. Vendi merr më shumë se 850 milionë euro në vit nga diaspora përmes transferimeve bankare dhe kjo shumë po rritet çdo vit. Ne gjithashtu duhet t’i shtojmë paratë që arrijnë në vend me para dhe të cilat nuk llogariten, si dhe shumat e shpenzuara nga ata që kthehen në Kosovë për të bërë pushime ose për t’u martuar. Nga të gjitha këto, paratë e diasporës përfaqësojnë 1.5 miliard euro në vit, ose 60% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit. Kosova operon si një shtet i Gjirit Persik, përveç që ne nuk kemi naftë. Nafta jonë është diaspora.

Këto para mbështesin konsumin, por ka njëzet vjet që flitet për drejtimin e tyre drejt investimeve produktive. Si të veprohet?

Ne duam që këto para të jenë të dobishme për vendin, të mos fluturojnë larg në një ekonomi mbijetese. Pushtetarët e Kosovës shpesh e kanë parë diasporën si një lopë parash, por ne duam t’i shohim kosovarët jashtë si investitorë, të cilët mund të presin kthime financiare. Sipërmarrësit e diasporës nuk duan domosdoshmërisht të arrijnë fitime të shpejta, por duan të investojnë në mënyrë të sigurt në vendlindjen e tyre. Ata janë patriotë, ata duan të kthehen, prandaj ne duhet ta rivendosim sundimin e ligjit dhe ta rrisim atraktivitetin e Kosovës. Ne gjithashtu duam t’i bindim studentët tanë, shkencëtarët tanë të kthehen në vend. Shumë kosovarë me arsim të lartë, shumë të talentuar punojnë jashtë vendit. Ne mund të krijonim një shërbim civil gjashtë-mujor për diasporën.

Bashkimi Evropian insiston në rinisjen e dialogut me Beogradin, por ju treguat se kjo temë ishte vetëm e gjashta ose e shtata në prioritetet tuaja.

Kjo temë renditet e gjashta ose e shtata midis prioriteteve të qytetarëve. Të gjitha sondazhet tregojnë se shqetësimet e tyre kryesore janë punësimi, ekonomia, drejtësia… Sidoqoftë, unë jam i gatshëm të bëj një kompromis, për ta vendosur dialogun në rendin e tretë ose të katërt të përparësive të mia! BE-ja dhe Ballkani janë shumë të rëndësishme për njëri-tjetrin, por më shumë sesa për një treg të përbashkët, kemi nevojë për investime. Evropa Juglindore po e zbraz trurin dhe BE-ja duhet të na ndihmojë ta ndalojmë këtë gjakderdhje. Vendet e Ballkanit Perëndimor një ditë do të integrohen dhe mendoj se të gjitha duhet të jenë në të njëjtën kohë. Nëse një prej këtyre shteteve hyn në BE para të tjerëve, ne përsëri do të kemi probleme, siç është rasti midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Integrimi nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt, por BE-ja duhet të na japë një afat, në mënyrë që qytetarët e rajonit të kenë shpresë ku të kapen. Ne gjithashtu duhet ta rishikojmë procesin e Berlinit [procesi i filluar në vitin 2014 në mënyrë që ta përshpejtojë pranimin e vendeve të rajonit në BE] për ta shndërruar atë në një Plan të vërtetë Marshall, me theks në demokratizimin, sundimin e ligjit dhe edukimin e brezave të rinj. Ish-Presidenti Trump favorizoi “faktet dhe interesat” dhe ne duhet të shtojmë “vlera dhe parime”. Shpresoj që Brukseli dhe Washingtoni të jenë në të njëjtën gjatësi vale për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu si edhe Berlini dhe Parisi. Na duhet ky sinkronizim i dyfishtë, është çelësi i suksesit.

A mendoni se është braktisur ideja e shkëmbimeve territoriale me Serbinë?

Shpresoj që po, por nuk kalon një javë pa një ekspert të ri, një grup ekspertësh të rinj, që vijnë me një plan përrallor që do t’i zgjidhte të gjitha problemet e Ballkanit me shkop magjik, duke nxjerrë nga dollapi këtë ide të vjetër…

Në vend të dialogut me Beogradin, ju doni të privilegjoni “dialogun e brendshëm” me serbët në Kosovë. Cfare do te thotë kjo?

Unë dua të angazhohem në një dialog të orientuar drejt zhvillimit me serbët e Kosovës. Të gjithë duhet të trajtohen me barazi dhe respekt, por ne duhet t’i japim fund frazave me zë të lartë si “dialog për pajtimin” ose “dialog historik”. Pse të mos bashkojmë fermerë shqiptarë dhe serbë dhe të flasim për farërat, plehrat, makineritë, prodhimin, çmimet e karburanteve? Le të fillojmë duke bërë diçka, në vend që të përsërisim të njëjtat pyetje të identitetit. Sa i përket dialogut me Serbinë, ai duhet të bëhet për të mirën e popullatës. Deri më tani, kishte të bënte me atë që përfitoi Vuçiqi [president i Serbisë], çfarë përfitoi Thaçi [ish-presidenti i Kosovës], udhëheqësit autokratikë që u takuan pas dyerve të mbyllura.

Ju keni mbrojtur prej kohësh të drejtën për ta ribashkuar Kosovën me Shqipërinë. A është ende e rëndësishme kjo ide sot?

Kur Kosova u bë e pavarur, kushtetuta e saj u shkrua nga të tjerët, dhe kjo kushtetutë thotë se vendi nuk ka të drejtë të bashkohet lirisht me shtetet e tjera. Sovraniteti ynë është i kufizuar. Kur ne jemi vërtet të pavarur, ne gjithashtu kemi të drejtë të heqim dorë nga kjo pavarësi, për shembull të bashkohemi në një federatë… Sidoqoftë, gjëja thelbësore është respektimi i procedurave demokratike.

Të ngjashme