Albulena Haxhiu vizitë në Hagë, thotë se Thaçin e Veselin s’i ka kritikuar kurrë për kohën e luftës

Prishtinë | 26 Mar 2022 | 08:40 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar vizitë të ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Por, Haxhiu s’është ende e sigurt nëse ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, do të pranojnë ta takojnë.

“Nuk mund të them me siguri se do t’i takojë të gjithë, pasi që zoti Thaçi e Veseli kishin refuzuar t’i takonin përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë gjatë një vizite që këta të fundit kishin pasur në Hagë”, ka deklaruar ministrja.

Haxhiu ka thënë se për gjithçka nga këto takime do të informojë publikun.

Ka deklaruar se të hënën mund të ketë apo jo konfirmime të takimeve me ish-eprorët e UÇK-së.

Ajo ka deklaruar se me ish-presidentin Thaçi e ish-kryeparlamentari Veseli kanë probleme politike të pasluftës, derisa ka thënë se asnjëherë s’i ka kritikuar ata për kohën e luftës.

“Me Thaçin e Veselin kemi probleme politike të pasluftës. Tek e fundit ata janë ushtarë të UÇK-së, për çka ne i përkulemi kontributit të ushtarëve të UÇK-së që Kosova sot të jetë e çliruar dhe e pavarur…Asnjëherë nuk i kam kritikuar ata për kohën e luftës. Problemet tona politike nuk më bëjnë që unë të mos bëjë kërkesë për takim me ta”, ka thënë Haxhiu për Telegrafin.

Të ngjashme