Aliu gati edhe për një mandat tjetër në Ferizaj: Është koha që PDK-ja të ndryshojë

Prishtinë | 25 Pri 2021 | 08:24 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se kjo komunë do jetë në konkurrencë me qytetet e rajonit edhe për katër vitet e tjera, duke konfirmuar kandidimin e tij edhe për një mandat tjetër.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Aliu foli edhe për reformën në Partinë Demokratike të Kosovës, duke shtuar se është koha dhe kërkesa e elektoratit që kjo parti të ndryshojë.

“Partia Demokratike ka kohë që ka filluar ndryshimet, por ritmi duhet vazhduar, dhe duhet një ndryshim esencial, një ndryshim thelbësor. Sigurisht se është i vështiri për t’u bërë gjitha ajo që është kërkesë e elektoratit, por edhe mbi të gjitha edhe e qytetarëve, sepse PDK është duke kaluar në një periudhë ku mungon lidershipi i saj, dhe sigurisht është e vështirë të bëhet gjithë ajo që e thashë që është kërkesë”.

“Por Komuna jonë ka dëshmuar që Partia jonë ka brumin e mirë, për një qeverisje të ndërgjegjshme dhe qytetare, që shembulli i Ferizajt dhe shembuj të tjerë, mund të shfrytëzohen ku ka brum dhe PDK ka dëshmuar që gjatë këtyre dekadave që ka brum të mjaftueshëm dhe energji të mjaftueshme, dhe sidomos në këtë kohë ka nevojë për këtë energji, sado që dikush në parti mund të mos pajtohen sepse ju ka ardhur koha të shkojë, por gjithsesi që koha dhe kërkesë e elektoratit është që PDK duhet të ndryshojë”.

Tutje, kryetari i Ferizajt tha se do të garojë edhe për një mandat tjetër, duke shtuar se synim kryesor është hapja e vendeve të reja të punës.

“Kur jam bërë kryetar, kam pasur një platformë qeverisëse ku kam qenë i sigurt që kjo platformë do të ketë implementim 100%, edhe pse përkundër sfidave dhe të një mandati më të vështirë në historinë politike të Ferizajt, sepse patëm katër Qeveri të ndryshme gjatë mandatit tonë, patëm pandeminë, dhe jo që kam realizuar ato që kam premtuar, por kemi tejkaluar shumë nga ato që kemi premtuar”.

“…jemi të lumtur që duke përmbyllur një vizion, e kemi vizionin tjetër për mandatin tjetër, dhe për të hapur vende të reja të punës, dhe Ferizaj do jetë në konkurrencë me qytetet e rajonit edhe për katër vitet e tjera”.

“Unë asnjëherë nuk kam parë kundër kandidat, dhe rivalë. Unë kam parë vetëm veten time, platformën time dhe ofertën e përgjegjshme që duhet t’u jap qytetarëve të mi. Këtë e kam bërë në çdo angazhim dhe kandidaturë timen, thjesht kam dashur të paraqes ofertën time dhe pastaj t’u mbetet vet qytetarëve të vendosin. Jam i bindur që sërish do ndodh kështu”.

Gjatë mandatit të tij si kryetar i Ferizajt, janë ndërruar katër Qeveri, por Aliu thotë se ka pasur bashkëpunim me të gjitha ekipet e ekzekutivit.

“Po besoj që është herët të flas për Qeverinë Kurti, sepse sapo ka nisur qeverisja e tij, por unë zakonshëm në detyrat e mia jam përgjegjës për ato që unë bëj, dhe më pak kam komentuar për të tjerët. Kam bashkëpunuar me të gjitha qeveritë dhe i kam pasur në mbështetje duke i falënderuar gjithmonë që nuk e kanë parë Ferizajn në aspekt politik, por e shohin në aspektin se sa është bashkëpunues dhe prezentues në projekte dhe ide konkrete”.

Duke komentuar gjendjen në Komunën e Ferizajt, Aliu tha se kjo komunë ka infrastrukturën më të dobët sa i përket aspekteve të institucioneve shëndetësore.

“Ferizaj ka infrastrukturën më të dobët sa i përket aspekteve të institucioneve shëndetësore, ku kemi spitalin kryesor që ka një hapësirë të vogël. Kjo përballje ende po vazhdon dhe ne po mundohemi ta kryejmë punën, por tash vazhdon përballja edhe me ekonominë, sepse jemi një vit me pandeminë, dhe ajo kryesorja e dëmit është se ekonomia ka pësuar një dëm të jashtëzakonshëm”.

“Ne jemi munduar që të jemi lehtësues ku sado që shumë nga përgjegjësitë i kanë takuar qeverisë qendrore, pra të dyjave qeverive, në mënyrë që të përgatisin pako emergjente cilësore, dhe ndihmë efikase për to, ne kemi bërë punën tonë”, tha Aliu.

Tutje, ai tha se bizneset në Ferizaj janë prekur shumë nga pandemia, por shpreson se me ndihmën financiare nga qeveria dhe komuna të rimëkëmben.

“Është hera e parë që bizneset kanë kërkuar diçka nga shteti, sepse ato gjithmonë i kanë dhënë shtetit, dhe është dashur shteti t’u gjendet pranë, e që fatkeqësisht nuk ka qenë përgjigja adekuate dhe jo ajo se çfarë ka ndodhur. Kjo mbyllje e ndali ecurinë e ringritjes së bizneseve, por duke shpresuar që hapja e re të jetë mundësi e mirë për bizneset, dhe Qeveria të jetë një mbështetje më adekuate për veprimtaritë biznesore. Ferizaj si qytet i bizneseve është ndikuar shumë, por duke shpresuar që shpirti i bizneseve ferizajasve do të ngashënjejë”, theksoi tutje ai.

“Matës i krizës së bizneseve kanë qenë inkasimi që ne kemi pasur si Komuna, por edhe shkallët tjera të inkasimit dhe shihet qartë se kemi pasur probleme në këtë drejtim. Ne si kryetarë të komunave kemi pasur qëndrime të qarta në çdo lloj situate, dhe mendoj që kemi ndihmuar mjaftueshëm cilëndo Qeveri dhe kryeministër e ministër të shëndetësisë, të cilët janë marrë me masat anti-Covid, edhe në situatën e fundit ka qenë qëndrimi i qartë i komunave që të mos ketë izolim tjetër, dhe u respektua ky vendim. Në fakt nuk është bërë një analizë e duhur se cili ishte impakti nga kjo vendosje e masave”, u shpreh ai për Ekonomia Online.

Lexo më shumë:

Të ngjashme