Ambasadori amerikan kundërshton korrigjimin e kufijve Kosovë- Serbi

Beograd | 18 Tet 2018 | 21:41 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i ShBA-së në Beograd, Kyle Scott, ka bërë të qartë se është kundër korrigjimit të kufijve Kosovë – Serbi.

Në një intervistë për javoren NIN, Scott tha ndër të tjera se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë idenë e demarkacionit për krijimin e shteteve etnikisht të pastra dhe se agjentët e huaj rusë po veprojnë në territorin e Serbisë.

“Ne e njohim Kosovën si vend të pavarur dhe sovran, liderët e zgjedhur të Kosovës janë përfaqësues të zgjedhur  të Kosovës dhe ne do të bashkëpunojmë me përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës pikërisht ashtu siç bëjmë me përfaqësuesit e zgjedhur të shteteve tjera në këtë rajon”, ka thënë Kyle Scott.

Nga ana e tij, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tha se i vlerëson dhe i përmbahet deklaratave të Scott, porse theksoi se Serbia i ka pikëpamjet e veta.

“Është e rëndësishme ajo se çfarë thotë ambasadori amerikan, e respektojmë dhe e çmojmë, por ne kemi pikëpamjet tona, Serbia i ka qëndrimet e veta”, – i është përgjigjur Vuçiç ambasadorit amerikan, transmeton Indeksonline.

Ai shtoi se Beogradi ka qenë gjithmonë një nga vendet kyçe për agjentë të fshehtë botëror, prandaj është e rëndësishme që të ketë “struktura shtetërore që mund të perceptojnë të gjitha vështirësitë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.

Vuçiç u përgjigj duke theksuar se ai nuk e kishte lexuar intervistën e ambasadorit amerikan, sepse ai nuk kishte lexuar “Djilas Media”, veçanërisht kur “gazetari i Gjilasit nuk pyeti përse ai e ndau Serbinë në vitin 1999”.

Të ngjashme