Ambasadori austriak, Weidingr, ia sjell Osmanit urimet e kryetarit të Parlamentit të Austrisë

Prishtinë | 04 Shk 2020 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, z. Christoph Weidinger, ia përcolli sot kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit, urimet e kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Austrisë, z. Sobotka.

Ai e nënvizoi miqësinë e vazhdueshme të Austrisë dhe e siguroi dr. Osmanin për përkrahjen e mëtejme të shtetit të tij për Kosovën.

Po ashtu, ambasadori Weidinger e uroi znj. Osmani për funksionin e ri dhe i dëshiroi suksese popullit të Kosovës.

Ambasadori austriak e siguroi atë se qeveria e re e Austrisë do të vazhdojë ta përkrahë edhe më tej Republikën e Kosovës.

Osmani e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe theksoi se Austria mbetet partner i rëndësishëm për popullin e Kosovës. Sipas saj, Kosova llogarit në bashkëpunimin e vazhdueshëm me shtetin austriak.

Ajo kërkoi që Austria të ndikojë në liberalizimin e vizave, pasi që vendi tashmë i ka plotësuar kriteret për liberalizim, por qytetarët tanë po mbahen ende të izoluar.

Theks të veçantë bashkëbiseduesit i kushtuan bashkëpunimit në fushë të diplomacisë parlamentare.

Osmani e siguroi ambasadorin Waidinger se si përfaqësuese e popullit ajo do të ndikojë që Kuvendi t’i mbajë dyert të hapura për qytetarët dhe se do të jetë garantues i mbrojtjes së lirive dhe i të drejtave të tyre.​

Të ngjashme