Ambasadori gjerman: Ndarja e Kosovës destabilizon rajonin dhe më gjerë

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 08:27 | Nga

Gjermania është kategorikisht kundër ndarjes së Kosovës, pasi që beson se ndryshimet e kufijve nuk do të çonin në një zgjidhje të qëndrueshme mes dy vendeve.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Christian Heldt, duke shtuar se ndarja e Kosovës do të krijonte potencial për efekt destabilizues në rajon dhe më gjerë.

“Mua nuk ka mundur askush të më japë përgjigje bindëse në pyetjen se cilat probleme do t’i zgjidhte një ndarje e tillë. Mos vallë do të sillte ndonjë lloj përmirësimi për shumicën e serbëve të Kosovës, të cilët jetojnë në jug të Ibrit? A do ta përmirësonte situatën e qendrave historike dhe fetare, siç janë manastiret ortodokse serbe? A mos do ta fuqizonte përfaqësimin e komunitetit serb brenda shoqërisë kosovare? Jo!”, është shprehur i prerë i pari i Gjermanisë në Kosovë.

Sipas tij, në vend të ndarjes së Kosovës qëllimi do të duhej të ishte përqendrimi te kushtet jetësore të popullatës serbe në përgjithësi në Kosovë dhe jo vetëm të disa qarqeve, siç thotë ai, të privilegjuara.

Ambasadori Heldt i ka konsideruar si të tmerrshme sulmet ndaj grupeve të pelegrinëve ortodoksë serbë dhe gjuajtjet me granata dore ndaj shtëpive të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme