Ambasadori gjerman në Kosovë: Ish-gjykatësit Simmons po i jepet hapësirë për të vazhduar fushatën e dezinformimit

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 10:25 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas raportimit të sh-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Simmons ka thënë të hënën, se misioni i EULEX-it nuk ishte Mision “i sundimit të ligjit, por Mision politik”.

Sipas tij, EULEX kishte për qëllim të hiqte nga skena politike, ata që ai i ka cilësuar “peshq të mëdhenj”, ose ata persona, që janë parë nga ky Mision, si pengesë për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), duke i konsideruar hamendësime të pamenduara dhe të pabazuara deklaratat e Malcolm Simmons, shkruan Telegrafi.

Në reagimin e Zyrës së EULEX-it është thënë se Simmos është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkeljet, që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe, e cila ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta.

Reagimin e Zyrës së EULEX-it e ka mbështetur edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, përmes një postimi në Twitter.

“Refuzim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e paqena. Unë thjesht pyes veten pse Kuvendi i Kosovës ende i siguron ish-gjykatësit Simmons një hapësirë për të vazhduar këtë fushatë dezinformomi”, ka shkruar Rohde.


Të ngjashme