Ambasadori gjerman: S’ka liberalizim për Kosovën, ende ka shtete që kundërshtojnë

Prishtinë | 07 Dhj 2020 | 20:40 | Nga Ekonomia Online

Pesimist se sivjet ndodh liberalizimi i vizave për kosovarët po tregohet Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

I pari gjerman në Prishtinë thotë se janë disa vende anëtare të Bashkimit Europian, që ky nuk ua përmendi emrin, të cilat nuk po binden që t’i thonë “PO” heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

“Gjithmonë i kemi thënë qeverisë kosovare se është e rëndësishme që të ulet së bashku me këto vende dhe t’i bindë ato. Në këtë aspekt, Kosova duhet të punojë. Bashkimi Europian përbëhet nga 27 vende anëtare dhe për vendime të gjitha duhet të jenë në bord. Ne po punojmë që kjo të ndodhë, por unë s’e besoj që kjo do të ndodhë para Krishtlindjeve”, tha Rohde në një intervistë për Klan Kosovën.

Qysh më 5 tetor, televizioni kishte raportuar se janë dy vende anëtare të Unionit që po hezitojnë të japin “aminin” për liberalizim të vizave.

Ato janë Franca dhe Holanda.

Madje, kryeministri i kësaj të fundit Mark Rutte i shkroi letër Parlamentit Europian ku tregoi se Amsterdami zyrtar do nga Prishtina rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E ka një proces që lidhet me Kosovën ku europianët pajtohen plotësisht.

Ambasadori Rohde tregon se Gjermania qëndron fort krah të Dërguarit të Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, diplomatit sllovak Miroslav Lajçak.

“Situata asnjëherë nuk ka qenë e lirë nga tensionet, prandaj po bëhet dialogu që tensionet të kanalizohen dhe një zgjidhje të arrihet. Gjermania mbështet plotësisht të Dërguarin Special të Unionit për dialog, pra që palët të flasin prapë me njëra-tjetrën. Mirë është, që përkundër të gjitha zhvillimeve politike këtu në Kosovë, dialogu të vazhdojë”, thotë Rohde që më 30 korrik, pas marrjes së letrave kredenciale nga atëherë presidenti Hashim Thaçi, u bë Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme