Ambasadori i Austrisë, Weidinger, solli urimet e Presidentit të Austrisë dërguar Presidentes Osmani

Prishtinë | 16 Pri 2021 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani priti sot ambasadorin e Austrisë në Kosovë, z. Weidiniger, i cili ia solli urimet e Presidentit të Austrisë, z. Alexander Van der Bellen, dërguar Presidentes Osmani me rastin e zgjedhjes së saj Presidente e Kosovës.

“Vendet tona kanë pasur gjithmonë marrëdhënie të afërta – politike, ekonomike, kulturore, por mbi të gjitha njerëzore”, thuhet ndër të tjera në letrën e urimit të Presidentit të Austrisë.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj shtetit të Austrisë për përkrahjen e vazhdueshme të cilën ia ka ofruar Kosovës dhe u shpreh e lumtur për raportin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

“Ne e mbajmë të kthjellët kujtimin për ndihmën që Austria ka dhënë në ditët më të vështira nëpër të cilat ne kemi kaluar. Mundësia e shkollimit për të rinjtë tanë, të cilët sot janë bartës të përgjegjësive publike, është vetëm njëra nga shtyllat e përkrahjes austriake për qytetarët e Kosovës”, tha znj. Osmani.

Ndërkohë, ambasadori i Austrisë, Chritoph Weidinger, ritheksoi gatishmërinë e shtetit austriak për ta vazhduar bashkëpunimin e mëtejmë. Austria, sipas ambasadorit të saj, nëpërmjet Agjencisë për Zhvillim do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në shumë fusha. 

Të ngjashme