Ambasadori i Gjermanisë reagon ndaj përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Prokurorial i Kosovës, dje ka votuar për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn. Lidhur me këtë votim të KPK-së, janë shprehur të pakënaqur shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog si dhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Shefi i BE-së në Kosovë u shpreh i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.

Ai përmes një reagimi tha se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, e që sipas tij KPK i ka shpërfillur këto parime.

E me këtë konstatim të Szunyog është pajtuar edhe ambasadori gjerman Rohde.

Ky i fundit në një reagim në Twitter ka shkruar se kjo është vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga për të ecur përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, ka shkruar ambasadori Rohde.

Të mërkurën tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.

Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.Po ashtu edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte kërkuar kthim në pikën zero të këtij procesi.

Të ngjashme