Ambasadori i Zvicrës: Historia s’njeh shtete që i normalizuan raportet me lëvizje kufijsh

Prishtinë | 07 Mar 2019 | 10:50 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka paralajmëruar se ndryshimi apo shkëmbimi i kufijve, do t’i bëjë më të komplikuara marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, asnjë histori e shteteve nuk ka tregua se rishikimi i kufijve i ka normalizuar marrëdhëniet ndërshtetërore.  

“Rishkrimi i kufijve asnjëherë nuk është shkruar nuk kemi ndonjë gjë në histori se ndryshimi apo shkëmbimi i kufijve i ka normalizuar raportet në mes palëve, nëse nuk përkujdesen me problemet konfliktin do të rrezikojnë. Do të bëhen më të komplikuara duke bërë lëvizje nga këta kufij. Asnjëherë të mos detyroni të bëni me zor një marrëveshje, nuk ka rregullim të shpejtë për një afat të gjatë këto rregullime të detyrueshme apo të shtyra me forcë që imponohen nga tjerët kundër vullnetit të palëve”, ka thënë ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet.

Këto komente, diplomati zviceran i bëri në tryezën e diskutimit nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Si e sheh Delegacioni shtetëror të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi?”.

Deklarime për të ardhmen nuk pati nga Delegacioni shtetërorë. Ndonëse ishin paraparë të jenë prezentë dy bashkëkryesuesit e dialogut, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, këta të fundit nuk morën pjesë në panelin e diskutimit.

Tutje në këtë tryezë u tha nga ambasadori i Zvicrës se diplomacia e jashtme në Kosovë, është për një marrëveshje ndërmjet dy vendeve fqinje, por sipas tij, shpejtësia e arritjes së marrëveshjes nuk ka rëndësi.

“Ne duam të arrijmë marrëveshje, shpejtësia nuk është e rëndësishme por të bëhet marrëveshja e duhur. Secili proces i paqes duhet marr parasysh specifikat e secilit konflikt nuk ka zgjedhje që mund të zbatohet mes palëve në konflikt. Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është qëllimi kryesor por përfundimi i implementimit të marrëveshjes që e bën ndryshimin në marrëveshjen e Brukselit. Çështjet kryesore ende mbeten të pazbatuara dhe të zgjedhura”, shtoi ambasadori Jean-Hubert Lebet.

Mbështetje në temat e dialogut, ambasadori Jean-Hubert Lebet, dha edhe për çështjet e kaluara si personat e pagjetur, drejtësia për viktimat, integrimi i minoriteteve, etj.

Sipas tij, sfidë mbetet mosbesimi i qytetarëve për të adresuar çështje të vështira.

“Janë zhdukur marrëdhëniet normale ekziston mosbesimi dhe urrejtja dhe zotimi publik për të adresuar çështje të vështira kërkon besim që palët e treta si ndërmjetësues mund të ndërmjetësojnë tregon vullnetin e palëve për të arritur një marrëveshje, nëse palët nuk duan të arrijnë marrëveshje atëherë kjo nuk duhet të ndodhë. Ne mbështesim dialogun dhe iniciativat qe me të kaluarën për personat e pagjetur, integrimi i minoriteteve në shoqërinë kosovare, diversiteti kulturor dhe drejtësi për viktima, në këto lloje procese interesi i qytetarëve merret parasysh”, tha Jean-Hubert Lebet, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, kritikoi mosprezencën e bashkëkryenegociatorëve të Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se shpreson që kjo nuk po bëhet për t’i ikur përballjes nga shoqëria civile.

“Besoj të mos jetë ikje e përballjes nga shoqëria civile sepse kjo nëse është kështu atëherë si do ta udhëheqin këtë delegacion dhe si do të përballen me delegacionin e Serbisë”, tha Kryeziu.

Për njohësin e Kushtetutës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Mazllum Baraliu, dialogu është i domosdoshëm por formimi i delegacionit dhe ngritja e çështjeve të mëdha të vendit, duhet të ketë konsolidim të përgjithshëm politik.

“Jemi shtet sovran e kemi kushtetutën dhe formimi i një delegacioni të tillë vetëm mund të bëhet në situata kur shteti nuk është i konsoliduar dhe në rastin tonë nuk e kemi. Do duhet të kishte konsensus dhe nuk e kemi, faktori ndërkombëtar ka bërë maksimumin Kosova me shku përpara në ketë dialog por problemi është në mes dy palëve nëse nuk ka vullnet të mirë nuk mund të ketë rezultat e marrëveshje”, tha Baraliu.

Baraliu vlerëson se Kosova është e papërgatitur për dialogun.

“Ky dialog duhet të përfundoj Kosova është e papërgatitur, rrethanat ndërkombëtare e rajonale si zgjedhjet ne BE, lufta tregtare mes lindjes e perëndimit e shume probleme tjera flasin se tani nuk është koha e duhur për nguti që këmbë e duar të shkohet në një marrëveshje që mungon vullneti politik nga dy palët”, pohoi Baraliu.

Të ngjashme