Ambasadori Kosnett lavdëron Ministrinë e Drejtësisë për zbatimin e Ligjit për Ndërmjetësim

Prishtinë | 13 Dhj 2019 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përmes llogarisë  së tij “Twitter”,  ka lavdëruar Ministrinë e Drejtësisë, e cila udhëhiqet nga ministri në detyrë Abelard Tahiri, për zbatimin e Ligjin për Ndërmjetësim, ligj ky i cili kontribuon në zgjidhjen e shpejtë dhe efikas të rasteve gjyqësore.

“ Është e rëndësishme që Ministria e Drejtësisë po zbaton Ligjin e Ndërmjetësimit duke u dhënë udhëzime gjykatave për licencimin, mbikëqyrjen, regjistrimin, trajnimin dhe etikën. Më shumë qasje në zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve është një përmirësim për qytetarët që kërkojnë drejtësi në Kosovë”, ka shkruar Ambasadori Kosnett në “Twitter”.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kohë më parë kishte thënë se Ligji për Ndërmjetësim ka plotësuar direktivën e Bashkimit Evropian dhe se ndërmjetësuesit do të jenë pjesë integrale e sistemit të drejtësisë ku do të shërbejnë si shtyllë e rëndësishme për një drejtësi të shpejtë dhe përmbajtjesore.

“Barazia, neutraliteti, pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti janë segmentet e fytyrës së re të sistemit që duam dhe për të cilin do angazhohemi vazhdimisht”,  pati thënë  Tahiri.

Ligji për Ndërmjetësim rregullon mënyrën, funksionimin, procedurën dhe organizimin e ndërmjetësimit, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesve me qëllim të lehtësimit të qasjes në zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve dhe kontesteve si dhe të promovon zgjidhjen miqësore të tyre. 

Të ngjashme