Ambasadori Sadiku rikujton fillimin e vështirë të misionit në Beograd

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 10:19 | Nga

Oficeri ndërlidhës i Kosovës, Valdet Sadiku, në prag të largimit nga Beogradi, pas një mandati pesëvjeçar, deklaroi se nuk ka mëdyshje se bisedimet e Brukselit do të vazhdojnë, por po shqyrtohen modalitetet e atyre bisedimeve.

Oficerët ndërlidhës, Valdet Sadiku i Kosovës në Beograd, dhe Dejan Paviqeviq i Serbisë në Prishtinë, kishin për detyrë lehtësimin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.

“Për mua është shumë kënaqësi që gjatp këtyre pesë vjetëve, pavarësisht nga shumë vështirësi nëpër të cilat kemi kaluar, ne asnjëherë nuk ndërpremë komunikimin”, i tha Sadiku BBC në gjuhën serbe, transmeton Koha.net.

Kështu ka ndodhur, pohon ai, edhe kur në Mitrovicë u arrestua drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

“Ishim në kontakt që nga fillimi, nga momenti i hyrjes së tij ilegale, e deri në arrestimin dhe kthimin e tij në Beograd”.

Duke folur për mandatin e deritashëm të tij, Sadiku thotë se në korrik të vitit 2013, kur kishte ardhur në Beograd, gjithçka ishte e panjohur.

“Çdo gjë ishte e panjohur, nga qyteti në të cilin asnjëherë më parë nuk kishte qenë, e deri te puna, asgjë nuk kishte pos vendimeve që të hapeshin zyrat, nuk dinim asgjë më shumë as për punën, as për mandatin”, është shprehur ai, transmeton Koha.net.

Sot ka pesë vjet stazh në marrëdhëniet Beograd-Prishtinë, të cilat ai i përshkruan si të ndërlikuara, specifike, të ndjeshme.

Thotë se përparimi në marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës më 2013 e 2014 ishin më të prekshme, meqë kishte entuziazëm, vullnet dhe rezultate, por edhe përpjekje të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare.

“Ndoshta shkak i kësaj është se atëherë flitej për marrëveshje të përgjithshme, që nuk flisnin për hollësi dhe kjo ishte rrethanë lehtësuese meqë palët mund t’i interpretonin në mënyrën e vet”, tha Sadiku.

Tani, thekson, “kur po kërkohen definicione më precize, nuk ka aq hapësirë për interpretim”.

Ndonëse edhe Beogradi, edhe Prishtina ankohen për mungesë komunikimesh rreth hetimit të vrasjes së Oliver Ivanboviqit, Sadiku thotë se zyra e tij nuk ka qenë pjesë e këtij procesi të shkëmbimit të informatave, por pikërisht aty sheh hapësirë për bashkëpunim të ardhshëm.

Dhe nuk ka asnjë dilemë se bisedimet e Brukselit do të vazhdojnë.

“Askush nuk r vë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut”, thotë Sadiku dhe shton se vetëm po shqyrtohen modalitetet se si të vazhdojnë bisedimet, transmeton Koha.net.

Sadiku thotë se më shumë punë ka pasur rreth zgjidhjes së problemeve të njerëzve që doemos lindin sa herë që marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës janë pa zgjidhje.

“Kemi zgjidhur problemet e biznesmenëve, të cilët, për shembull, kërkojnë certifikata për transportin e materieve të ndezshme e deri te aksidentet e trafikut ose problemet e paraburgimeve. Për familjet e të paraburgosurve është e rëndësishme që procedurat, në vend një javë a dy, të kryhen brenda një a dy orëve përmes kontakteve tona të drejtpërdrejta”, thotë Sadiku.

Konsideron se pozita që ka ushtruar për pesë vjet ka potencial të madh që duhet të shfrytëzohet përmes bisedimeve të dialoguesve.

“Duhet të mendohet si për zgjerimin e mandatit e të autorizimeve, ashtu edhe për rritjen e personelit”, propozon ai.

Thotë se gjatë mandatit të tij prej oficeri ndërlidhës në kryeqytetin serb, të cilin e përshkruan para së gjithash qytet të madh, thotë të ketë bërë shumë miq.

“Kjo nuk do të thotë se me të gjithë pajtohem, por mënyra e mospajtimit, mënyra e komunikimit gjatë mospajtimit është gjëja më e mirë që bart nga Beogradi. Nuk dëshironi të bëni diçka që do të ishte rrethanë rënduese kur nesër të takohen presidentët ose kryeministrat”, është shprehur ai.

Një porosi të ngjashme, thotë, do t’ia lë edhe atij që do ta zëvendësojë.

“Ky është një proces i ndjeshëm dhe për të duhet të kihet durim dhe mirëkuptim, por edhe vendosmëri”, i ka thënë BBC-së në gjuhën serbe Valdet Sadiku, transmeton Koha.net.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme