Ambasadori spanjoll në Beograd: Mosnjohja e Kosovës i shkakton probleme Spanjës

Prishtinë | 12 Kor 2021 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Spanja nuk e njeh Kosovën, por kjo i shkakton probleme të konsiderueshme Madridit zyrtar, tha ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Molina.

Në një intervistë për Novostin e Serbisë, Molina tha se pozicioni i Spanjës në lidhje me Kosovën është politikë zyrtare shtetërore.

“Mosnjohja e Kosovës bazohet në respektimin e rreptë të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të saj, siç është respektimi i integritetit territorial, të cilat janë shkelur”, tha Molina.

I pyetur nëse Spanjës po i ushtrohet presion për ta ndryshuar pozicionin e saj, Molina mohoi, duke thënë se qëndrimi i këtij shteti nuk është kapriçioz dhe arbitra.

“Megjithatë, është e vërtetë që mosnjohja shkakton probleme të konsiderueshme për Spanjën, veçanërisht në kontekstin e organizatave ndërkombëtare”, theksoi ai.

Kur u pyet për t’i komentuar spekulimet e fundit se Spanja e ka në plan të hapë zyrë ndërlidhëse në Prishtinë, Molina deklaroi se kjo nuk do të supozonte ndryshimin e pozicionit spanjoll.

Të ngjashme