Ambasadorja e Francës në Kosovë për vizat: Procesi përfundimtar i vendimmarrjes i natyrës politike

Prishtinë | 26 Shk 2021 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Cristine-Butel, ka folur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ajo në një intervistë për klankosova.tv ka theksuar se Franca beson, së bashku me disa shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, se në këtë fazë të këtij procesi ende nuk janë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për Kosovën.

Butel ka thënë heqja e regjimit të vizave sigurisht që është çështje kriteresh teknike, por procesi përfundimtar i vendimmarrjes është i natyrës politike.

“Liberalizimi i vizave për qëndrim të shkurtër për Kosovën bazohet në zbatimin e një udhërrëfyesi që përfshin 95 kritere. Në një raport të publikuar në vitin 2018, Komisioni njoftoi se të gjitha këto kritere ishin përmbushur dhe i rekomandoi Parlamentit evropian dhe Këshillit të Bashkimit evropian liberalizimin e vizave për Kosovën. Parlamenti Evropian gjithashtu është shprehur në disa raste në favor të liberalizimit të vizave”.

“Heqja e regjimit të vizave sigurisht që është çështje kriteresh teknike, por procesi përfundimtar i vendimmarrjes është i natyrës politike. Përderisa Komisionit evropian i takon të sigurojë përmbushjen e kritereve teknike, vendimi përfundimtar i marrë me shumicë të kualifikuar është përgjegjësi e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe vetëm e tij. Prandaj, i takon këtij të fundit të vendosë sapo që kjo çështje të vëhet në agjendën e tij nga shteti anëtar që udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian “.

“Zhvillime pozitive janë shënuar në Kosovë, siç është miratimi nga Parlamenti i Kosovës në nëntor 2018 i një pakete ligjesh që synojnë forcimin e sundimit të ligjit. Por, këto ligje ende nuk kanë dhënë efekte të prekshme dhe të qëndrueshme. Prandaj është e rëndësishme që zbatimi i reformave nga i gjithë aparati shtetëror i Kosovës të vazhdojë dhe që ligjet e miratuara të zbatohen plotësisht “.

“Për këtë arsye Franca beson, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, se në këtë fazë ende nuk janë përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. Prandaj, ne mbetemi shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimit të shtetit të së drejtës, si dhe forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të krimit të organizuar në Kosovë. Takimet që u mbajtën në fund të vitit të kaluar ndërmjet ekipeve të ministrive të brendshme të Francës dhe Kosovës, kanë pasur pikërisht qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ekzistues midis vendeve tona në këto fusha të ndryshme “, ka deklaruar Butel.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme