Analistët: Bashkimi me Shqipërinë s’është zgjidhje, fokus të jetë zhvillimi ekonomik e anëtarësimi në BE

Prishtinë | 27 Mar 2021 | 07:57 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njohësi i çështjeve politike në vend, Milazim Krasniqi nuk po e sheh të arsyeshme bashkimin kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, mirëpo po e konsideron të nevojshme që këto dy vende të fuqizohen në aspektin ekonomik dhe të jenë pjesë e familjes Evropiane, raporton Ekonomia Online.

Pavarësisht që bashkimi kombëtar është aspiratë e shqiptarëve, Krasniqi thotë që kjo është e pa realizueshme në kontekstet gjeopolitike dhe gjeostrategjike.

Krasniqi tutje ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të fokusohen që të bëhen shtete të suksesshme dhe të bëhen pjesë e familjes euro-atlantike.

“Kjo është një manipulim propagandistik i grupeve që janë në krizë kur nuk kanë çka bëjnë, realisht bashkimi kombëtar ka qenë dhe mbetet aspiratë e shqiptarëve, por është i parealizueshëm në kontekstet e tashme gjeopolitike dhe gjeostrategjike”.

“Kosova është maksimumi që na kemi mbërri si komb që të realizojmë të shekullin XX dhe do të duhemi që të fokusoheshim në ndërtimin e këtij shteti dhe në fuqizimin e tij dhe nëse edhe Shqipëria edhe Kosova bëhen shtete të suksesshme dhe bëhen pjesë e familjes euro-atlantike atëherë ato ideale do të përmbusheshin në një version tjetër, por ideja që të ketë një bashkim mekanik është në fund të fundit e rrezikshme sepse për tu bashkuar shqiptarët duhet të prishen pesë shtete në Ballkan dhe nëse do të krijohej ideja që ne jemi faktorë destabilizues atëherë do të kishim kundër edhe Shtetet e Bashkuara edhe NATO-n dhe Bashkimin Evropian, pra është një propagandë e pa dobishme dhe e cila ju jep armiqve të shqiptarëve në këtë rast Serbisë dhe Rusisë arsenal për municion për me luftuar kundër qëllimeve”, tha ai.

Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e ka proklamuar idenë e bashkimit kombëtar që nga themelimi i saj, ndërsa në zgjedhjet e fundit nacionale për diçka të tillë ka folur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se nëse Kosova nuk anëtarësohet në BE e NATO për një periudhë 5 vjeçare, atëherë duhet parë si opsion edhe bashkimin me Shqipërinë.

Të njëjtin mendim e ndanë edhe eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu.

Ai ka thënë se nuk i bëhet nderë Kosovës dhe Shqipërisë duke promovuar patriotizëm folklorik.

“Rrugëtimi ynë drejt familjes evropiane kërkon një fuqizim të Kosovës dhe në këtë drejtim të kemi partneritet me të gjitha shtetet e rajonit në veçanti me Shqipërinë, dhe më interesant është se për bashkim kombëtar nuk duhet të flitet por duhet të veprohet”.

Gërxhaliu thekson se të dyja vendet duhet ta kenë fokus fuqizimin drejt familjes Evropiane, dhe jo duke përdorur bashkimin kombëtar si arsyetim për dështimet e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Prandaj në këtë drejtim nuk i bëhet nderë ardhmërisë së Kosovës duke promovuar patriotizëm folklorik, nuk i bëhet nderë as Shqipërisë dhe as Kosovës duke tentuar gjithmonë ta hijeshojmë të kaluarën dhe jo ta ndërtojmë ardhmërinë dhe në këtë drejtim ardhmëria e të dyja vendeve është në familjen e evropiane me qëllim të eliminimit të barrierave ekonomike dhe eliminimit të gjitha pengesave që e avancojnë këtë bashkëpunim ekonomik, dhe duhet të bëhet një analizë e thuktë që më shumë ke probleme ekonomike me Shqipërinë se sa me vendet e tjera prandaj nuk duhet që të përdoret dhe promovohet bashkimi kombëtar si arsyetim i dështimeve në të kaluarën dhe si arsyetim i shkatërrimit të Kosovës dhe i hajnisë dhe në këtë drejtim duhet të eliminohen barrierat dhe duhet të shfrytëzohen resurset dhe të avancohet bashkëpunimi ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu për EO.

“Nëse tani nuk kemi tani besim për bashkëpunim dhe nëse kemi vetëm një agjendë politike dhe kemi të gjitha këto sfida për të bërë biznes atëherë është shumë më e rrugës që të forcojmë ekonomitë tona dhe të mendojmë që një ditë të jemi të bashkuara në familjet Evropiane”.

Të ngjashme