Analistët e shohin të vonuar debatin në mes të kandidatëve për kryeministër

Prishtinë | 16 Sht 2019 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, i ka ftuar në një debat të përbashkët televiziv kandidatët për kryeministër, Kadri Veselin, Vjosa Osmanin, Albin Kurtin dhe Ramush Haradinajn.

Deri më tani asnjëri prej kandidatëve nuk e ka komentuar dhe nuk është përgjigjur për këtë ftesë, të cilën e kanë mirëpritur analistët politikë, mirëpo kanë shprehur dyshim se mund të realizohet.

Analisti Shkëlzen Maliqi ka thënë për “Epokën e re” se një praktikë e tillë është mirë të ndodhë por, sipas tij, është vonë të realizohet.

“Ftesën e Fatmir Limajt, kandidat për kryeministër i koalicionit Nisma-AKR-PD, e shoh si përpjekje që të instalohet një praktikë që ka munguar të ne, ndërkaq që është gjë shumë normale në demokracitë e avancuara. Votuesit kanë të drejtë që paraprakisht ta shohin debatin e kandidatëve për kryeministër, kjo mund t’i ndihmojë në orientimin e votës së tyre sepse për një pjesë të tyre është shumë e rëndësishme t’i njohin më mirë ata që pretendojnë udhëheqjen e Qeverisë, çfarë vizioni kanë, sa janë të vendosur, çfarë aftësie argumentimi kanë, a i plotësojnë kriteret për të drejtuar dhe përfaqësuar vendin etj”, është shprehur Maliqi.

Megjithatë, ai ka thënë se një debat i tillë nuk beson se mund të realizohet meqë, sipas Maliqit, ndonjëri prej kandidatëve për kryeministër mund të mos e pranojë ftesën. “Nuk besoj se kjo nismë do të realizohet. Mjafton që një ose dy prej kandidatëve për kryeministër të mos e pranojnë ftesën dhe debati e humbet kuptimin”, ka thënë Maliqi.

Të ngjashme