Analistët e vlerësojnë të dobët Qeverinë Kurti në transparencë dhe llogaridhënie, kërkojnë transformim të kabinetit qeveritar

Prishtinë | 19 Shk 2022 | 08:02 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies po e përcjell edhe Qeverinë Kurti, thonë njohësit e çështjeve politike në vend.

Arton Demhasaj dhe Arbnor Sadiku, të cilët folën për Ekonomia Online, thonë se kryeministri duhet të dalë më shpesh në konferenca shtypi dhe ta informojë qytetarin për vendimet e Qeverisë dhe t’i arsyetojë ato.

Kërkesë tjetër e tyre është riformatizimi i kabinetit qeveritar, ato dikastere ku ministrat përkatës nuk kanë pasur suksese veçanërisht në zbatimin e planit të tyre të punës.

Artan Demhasaj nga “Çohu” tha se ndëshkimi më i madh për Qeverinë do të vijë nga populli në momentin që vijnë zgjedhjet e tjera.

Ai ka përmendur vendimet që do ta penalizojnë këtë Qeveri, sidomos shtrenjtimi i rrymës.

“Nuk është se ka pasur ndonjë zhvillim të madh për me e veçuar përpos iniciativës që Qeveria e ka marrë sa i përket procesit të Wettingut ose një reformë  më të thellë në sektorin e drejtësisë. Kjo mund të veçohet ndoshta si një shtyllë  e madhe që është iniciuar dhe është filluar nga Qeveria Kurti. Në anën tjetër nuk ka ndonjë ndryshim të madh që vlen me u përmend, përpos që ka edhe çështje negative pra që kanë filluar si shtrenjtimi i rrymës elektrike, rritja tepër e madhe e çmimeve në treg që po vazhdon dhe Qeveria nuk po merr masa për me pa dhe me ndikuar që mos me e leju që çmimet me u rritë. Nuk ka diçka tjetër pozitive që mundet me u përmend”, tha Demhasaj.

“Nuk mundemi me thënë se janë llogaridhënëse për shkak që nuk kanë komunikim shumë të madh edhe me mediet por njëkohësisht edhe me shoqërinë civile por në një far mënyre janë të bllokuar brenda guasës së tyre dhe thjesht nuk është që japin shumë sqarime ose shumë informacione për publikun se çka po ndodh me qeverisjen e përditshme. Mendoj që duhet me pas konferenca për shtyp më shumë ku Qeveria del dhe i shpjegon publikut për vendimet që i ka marr, për arsyetimet e vendimeve që i ka marrur, kjo nuk po ndodh prandaj mendoj që thjeshtë nuk është që kjo mundet me u ndreq me ndonjë rregullativë të caktuar ligjore por thjesht është vullnet i mirë që Qeveria duhet me pas që me qenë më transparente dhe më llogaridhënëse ndaj qytetarëve dhe votuesve të sajë”, thotë Demhasaj.

Ndërsa politologu, Arbnor Sadiku, thotë se duhet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, me theks të veçantë, në atë të Punëve të Jashtme, pasi sipas tij, diplomacia kosovare ka dështuar.

“Qasja duhet të jetë më produktive dhe më bashkëpunuese, veçanërisht në politikën e jashtme. Konsideroj që Kosova ka një mungesë të një politike të jashtme dhe diplomacie kosovare. Prandaj kërkohet që të kemi një ministre ose një ministër të ri të Ministrisë së Punëve të Jashtme për arsye se kemi pasur ngecje, qoftë në ardhjen e njohjeve të reja për Kosovës, pjesëmarrje në samite të ndryshme ndërkombëtare dhe promovim të politikës së jashtme të Kosovës për pranimit të shtetësisë së Kosovës”.

Sipas tij, krahas dështimit për të sjellë njohje të reja nuk ka pasur kurrfarë progresi as sa i përket anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë, siç janë OKB-ja, në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, anëtarësim në UNESCO dhe një sërë organizatash të tjera ndërkombëtare që e forcojnë legjitimitetin dhe legalitetin e shtetësisë së Kosovës.

“Unë mendoj se pas një viti qeverisjeje, Kurti do të duhej ta bënte një riformatizim të Qeverisë, në ato dikastere ku ministrat përkatës nuk kanë pasur suksese, veçanërisht në zbatimin e planit të tyre të punës së brendshme dhe mungesë të theksuar të rezultateve, qoftë në diplomaci, në administratë publike apo edhe në pjesën tjetër të financave publike, do të duhej rishikuar me një kujdes të veçantë dhe ata ministra të cilët nuk e kanë kryer detyrën e tyre në mënyrën e duhur të riformatizohen, të ndërrohen ministra të rinj, qoftë nga vetë ministrat që tani janë në pushtet apo edhe me marrjen e kuadrove që mund të gjinden në shoqërinë civile apo janë të paangazhuar në këtë qeverisje aktuale”, ka thënë Sadiku.

Të ngjashme