Analistët kërkojnë të shpeshtohen vizitat jashtë shtetit – të fundit s’kanë peshë në vendimmarrjen globale

Prishtinë | 22 Maj 2022 | 09:07 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vizitat e krerëve institucional jashtë shtetit janë parë shumë produktive nga njohës të çështjeve politike. Ata thonë se vizitat e tilla do duhej të shpeshtoheshin sidomos tek vendet mosnjohëse, raporton Ekonomia Online.

Analistët thonë se krahas vizitave të krerëve të shtetit, udhëtime të tilla mund të bëjnë edhe deputetët e Parlamentit të Kosovës, duke krijuar grupet punuese, e të jenë në koordinim me Presidencën dhe Ministrinë e Jashtme.
Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë se mazhoranca do të duhej ta shfrytëzonte shumicën parlamentare dhe të zhvillonte takime jashtë shtetit për të lobuar për Kosovën.

Ai thotë se sidomos takimi i kryeministrit Albin Kurti me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka qenë njëra ndër vizitat më interesante, e që sipas tij, synim ka pasur ristartimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Vizitat e fundit, ndoshta kjo vizita që ka qenë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz ka qenë një prej vizitave pak më interesante dhe që ka pasur për synim ristartimin e dialogut Kosovë-Serbi. Më duket një vizitë tjetër që ka qenë e presidentes së Kosovës në Turqi që është takuar me presidentin Erdogan mendoj që këto kanë qenë dy apo le të themi tri vizita që janë realizuar nga krerët institucional në Evropë dhe botë”.

“Por, kemi pasur shumë lëshime në këtë drejtim sepse brenda një viti të qeverisë, Kosova do të duhej të takonte më shumë burrështetas, më shumë kryeministra që të loboj veçanërisht tek ato shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe krahas kësaj të shfrytëzojë edhe demokracinë parlamentare. Aty ku nuk mund të merr pjesë Kryeministri i Republikës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme kanë mundur të shkojnë të vizitojnë deputetët e Parlamentit të Kosovës”, thotë Sadiku.

Sadiku ka kritikuar Qeverinë sa i përket mosanëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
“Ne nuk kemi pa ndihmesë konkrete dhe nuk kemi pasur veprime konkrete veçanërisht në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe në kalimin nga një retorikë teorike në gjëra empirike praktike të matshme”
Profesori universitar, Dorajet Imeri, thotë për Ekonomia Online, se vizitat e fundit janë bërë në ato vende që nuk kanë peshë në vendimmarrjen globale.

Ai kërkon që vizitat të bëhen në shtetet ku kanë më shumë peshë në vendimmarrje, duke përmendur Gjermaninë, Francën, ShBA-në e Britaninë e Madhe.

“Sigurisht, që është mirë për Kosovën, sepse tek e fundit dëgjohet zëri në ato vende edhe për vendin tonë, por të them të drejtën nuk është se kanë qenë vende me peshë në vendimmarrjen globale, përjashtuar këtu Turqinë e cila mund të jetë ndoshta vendi që ka qenë prej vendeve të rëndësishme që është vizituar nga institucionet e Kosovës ose bartësit e saj”.

“Ne kemi nevojë për një organizim kohesiv të institucioneve tona, fokusi duhet të jetë në vendet që na kanë njohur dhe që supozoj se mund të jenë mbështetës të proceseve tona të konsolidimit të shtetësisë. E kuptueshme janë vendet si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Shtete e Bashkuara të Amerikës, Turqia, janë vendet që kanë peshë në vendimmarrjen globale dhe në këtë vende duhet të jenë adresat kryesore të angazhimit tonë diplomatik, por kjo duhet të jetë e harmonizuar dhe në sinkron”.
Imeri u shpreh se Kosovës i nevojitet diplomaci nga i gjithë spektri politik, duke përfshirë edhe Parlamentin.

Ai kërkon që Kosova të krijojë më shumë grupe punuese, në mënyrë që institucionet të krijohen më mirë në diplomaci, raporton EO.

“Fillimisht, duhet të jetë Qeveria e Kosovës si bartëse e politikës së jashtme, Kuvendi padyshim si një prej institucioneve po ashtu themeluese të politikës së jashtme ose kërkues të llogaridhënies, e po ashtu edhe institucioni i presidentit, të tria bashkë duhet të kthehen në njëfarë strukture të përbashkët politike, në të cilën do të duhej të ndaheshin si ta themi zonat ku ata do të mund të bënin shumë punë, këtu do të duhej të ishte edhe parlamenti përmes diplomacisë parlamentare, angazhimi i shtuar i deputetëve individualisht, krijimi i grupeve të miqësisë, krijimi i diplomacisë parlamentare që Kosova fatkeqësisht nuk ka marrë erë te themi në thonjëza nga ky aktivitet. Pra, kemi shumë punë për të bërë, por jemi shumë larg do të thoja një diplomacie të strukturuar, ku institucionet do të mund të koordinoheshin më mirë”, tha ai.

Të ngjashme