Analistët: Kryeministri mos ta orientojë debatin e 3 gushtit, të flasin ekspertët

Prishtinë | 01 Gus 2016 | 11:28 | Nga

Çështja e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi prej muajsh ka ngritur mosmarrëveshje në vend në mes pozitës dhe opozitës, ndërkohë që pak ditë para organizimit të një tryeze, ai është bërë çështje e përplasjeve mbi atë se kush e ka të drejtën.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka akuzuar opozitën, por edhe ekspertë të ndryshëm se po e shtyjnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke bllokuar, siç ka thënë, çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Por, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Imer Mushkolaj tha se kryeministri Mustafa është duke përdorur një gjuhë aspak të denjë për një kryeministër.
“Mustafa po përpiqet ta orientojë debatin kah ai dhe dëshiron t’ua mbyllë gojën të gjithë atyre që mendojnë ndryshe dhe kanë argumente kundër versionit aktual të demarkacionit. Duke përdorur këtë gjuhë aspak të denjë për një kryeministër, Mustafa po tregon se nuk është i gatshëm t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë”, tha ai për Telegrafin.

Mushkolaj vlerësoi po ashtu se nëse Mustafa kushtëzon debatin e tryezës dhe e orienton sipas interesave të tij, atëherë tryeza e 3 gushtit nuk ka nevojë të mbahet fare.

Analisti Nexhmedin Spahiu thotë se kryeministri Mustafa nuk ka argumente dhe gjithmonë është i interesuar që ta prishë debatin.

“Është e qartë që Isa Mustafa e di edhe vet që me këtë marrëveshje është bërë shkelje dhe nëpërmjet këtij debati konstruktiv do të eliminohen të gjitha paqartësitë. Ai do të bëjë zhurmë që njerëzit të mos kuptojnë asgjë. Të tërheq vëmendjen nga argumentet dhe të vendosë vëmendjen te konflikti në mes pozitës dhe opozitës”, tha Spahiu.

Gjithashtu, ai tha se kulmi i gjithë kësaj është paraqitja e një eksperti të pavarur, i cili ka deklaruar se nuk është bërë shkelje në këtë marrëveshje.

“Tomor Çela, i blerë nga qeveria ashiqare me argumentet e tij ishte shumë i dobët që mund të thuhej që ishte bërë një shkelje. Argumentet e tij ishin skandaloze. Mendoj që kjo marrëveshje duhet të diskutohet sërish me Malin e Zi, duke u nisur nga gatishmëria e Millo Gjukanovicit që mund të bëhet ndonjë zgjidhje para se të shkohet në arbitrazh”, vlerësoi Spahiu.

Ndryshe, më 3 gusht pritet të mbahet një tryezë diskutimi lidhur me marrëveshjen e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme