Ideja për Mini-Shengen Ballkanik e vdekur, shkak mospërkrahja e BE-së

Prishtinë | 23 Shk 2020 | 08:17 | Nga Linda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njohës të rrethanave politike thonë për Ekonomia Online se idetë e ashtuquajtura “mini-shengeni Ballkanik” dhe “makro-shengeni shqiptar” janë të parealizueshme dhe janë vetëm për konsum politik.

Janë bërë katër muaj që kur u propozua nga Serbia ideja e mini-shengenit Ballkanik, e që është përkrahur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Mirëpo kjo ide nuk u përkrah nga Kosova, mbështetje nuk ka marrë as nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian e as ShBA-ja.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) ka thënë se ideja e mini-shengenit po shkon në histori dhe ka vdekur dalëngadalë.

“Unë konsideroj se katër muaj pas lansimit të mini-shengenit në Novi Sad dhe mbajtjes së tri samiteve deri më sot dhe duke njohur faktin që ende asnjë zyrtar i lartë i BE-së nuk e ka mbështetur këtë iniciativë mund të konkludojmë që pak a shumë ideja e minishengenit dalëngadalë po shkon në histori dhe dalëngadalë ka vdekur sepse nuk ka sens që një ide e cila promovon katër liritë themelore të BE-së të mos mbështetet nga vetë Bashkimi Evropian”, tha ai

Ndonëse ideja e mini-shengenit ka një mbështetje nga kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe ai i Shqipërisë Edi Rama, megjithatë Shasha thotë se me mos-mbështetjen e BE-së, nuk ka unitet për këtë ide në Ballkanin Perëndimor.

“Mund të ketë zhvillime të tjera, aty nuk e dimë kemi pa një mbështetje të zellshme të kryeministri të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë, takime mund të ketë por fakti që katër muaj nga lansimi i saj ende nuk ka mbështetje të BE-së, nën dy nuk ka unitet në Ballkanin Perëndimor për këtë ide, konsideroj që palët duhet të  njohin se kjo ide tash i përket historisë dhe duhet të gjejnë forma të tjera të bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit”, theksoi Shasha.

Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Shqipëri ka folur për idenë e makro-Shengenit shqiptar që do të bënte të mundur bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve fqinje me një shpejtësi të re.

Por, kjo ide u kundërshtua nga homologu i tij, Rama i cili ka thënë se nuk ka Makro-Shengen shqiptar pa Mini-Shengen Ballkanik.

Në lidhje me këtë Shasha thotë se para se këto dy vende të diskutojnë për mini-shengenin Ballkanik e makro-shengenin shqiptar apo procesin e Berlinit, të fokusohen në 77 marrëveshjet të cilat ende nuk kanë filluar të zbatohen.

Ai thotë se nëse vetëm 10 nga këto 77 marrëveshje fillojnë të zbatohen brenda 1 viti do të jetë sukses.

“po unë besoj që ky mesazh vendos në pah nevojën për një bashkëpunim më të thellë më substancial në mes Shqipërisë dhe Kosovës kur fakti që ekzistojnë 77 marrëveshje, tani para se të diskutojmë mini-shengenin Ballkanik apo procesin e Berlinit, konsideroj se është e gabueshme që kemi 77 marrëveshje që nuk janë duke u zbatuar në mes Kosovës dhe Shqipërisë lëre më shtetet e tjera, prandaj konsideroj se është me të drejtë të vendoset theksi në një bashkëpunim Shqipëri-Kosovë i cili do jetë shumë më substancial ku ato marrëveshje të cilat i kemi do sigurojnë një përafrim shumë më të madh mes qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë mes bizneseve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe pastaj në mes institucioneve të Kosovës dhe në këtë kontekst mesazhi është shumë i mirëseardhur që shteti i Kosovës dhe Shqipërisë të kenë një bashkëpunim shumë më progresiv se çfarëdo bashkëpunimi tjetër qoftë ai në kuadër të mini-shengenit ose në kuadër të procesit të Berlinit”, thotë ai.

Ndërsa, Fatmir Sheholli, drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, thotë se ideja e mini-shengenit është e pakuptimtë, pasi që në këto vende lëvizja e lirë bëhet vetëm me letërnjoftim.

Ide së koti dhe të parealizuar Sheholli po e konsideron edhe makro-shengenin shqiptar, ide kjo e kryeministrit Kurti.

“Z. Kurti i ka këto thënie të jashtëzakonshme për konsum të mirë të brendshme janë të këndshme me i dëgjuar, makro e mikro. Por, kjo fjala shengen nuk e di kush ia ka vendosë për arsyeje se shengen do të thotë liberalizim d.m.th pa viza. Ne sot në Shqipëri dalim me letërnjoftime. Ne sot në Maqedoni dalim me letërnjoftime, ne sot në Mal të Zi dalim me letërnjoftime. Ne sot po edhe në Serbi dalim me letërnjoftime përveç me një dokumentacion shtesë. Nuk e kuptoj esencën e çështjes shengen. Nuk ka shengen se shengeni d.m.th pa viza”, thotë ai.

Sheholli thotë se nuk e di çfarë fshihet prapa kësaj ideje, por që si të tillë nuk e përkrahë as Amerika, raporton EO.

“Ne nuk jemi pjesë e konceptit të saj. Si ide si çështje që ka të bëjë për të mira të biznesit edhe të qarkullimit të mallrave është ‘ok’ po ekziston ajo. Nuk e di çfarë fshihet prapa kësaj ideje. Por ne kemi pa që këtë ide të kësaj forme qysh ka qenë, nuk e ka përkrahë shumë as Amerika në koncept çfarë është tash, por unë besoj që këto kanë luajtje fjalish z.Kurti e ka pas këtë në vokubularin e vet vazhdimisht që shqiptarët duhet në një vend e çështje tjera. Por t’ia vendosim emrin makro apo mikro apo shengen kjo unë besoj që kjo është e padrejtë ndaj vetë njerëzve”, thotë ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme