Analistët: Nëse PAN-i pranon kushtin e Listës Serbe, më mirë zgjedhje

Prishtinë | 06 Kor 2017 | 17:04 | Nga

Kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do të bisedojnë edhe me Listën Serbe dhe me pakicat e tjera për themelimin e institucioneve, pasi që koalicioni PDK-AAK-Nisma, e cila është e para parti që do të provojë themelimin e institucioneve, nuk do të mundë të arrijë qëllimin e saj pa votat e Listës Serbe.

Sa i përket kësaj, analistët kanë vlerësime të ndryshme. Ata mendojnë se nga kjo situatë serbët do të provojnë të përfitojnë. Sipas tyre, më mirë do të ishte të shkohet sërish në zgjedhje sesa të jenë shantazhuar nga Lista Serbe. Po ashtu, analistët mendojnë se Lista Serbe përpiqet ta shantazhojë Haradinajn, duke shtuar se presin nga LDK-ja ta votojë Qeverinë si parti opozitare.

Analisti politik Imer Mushkolaj mendon se serbët në këtë situatë do të provojnë të përfitojnë sa më shumë. Ai ka thënë për “Zëri” se mbetet te partitë shqiptare ta tejkalojnë këtë situatë dhe të mos varen nga votat e Listës Serbe.

“Serbët do të provojnë të përfitojnë sa më shumë. Mbetet te partitë shqiptare se si do ta tejkalojnë këtë situatë, në mënyrë që të krijojnë koalicion qeverisës i cili nuk varet nga votat e Listës Serbe dhe njëkohësisht të arrijnë të jenë efikas dhe efektivë në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Një koalicion më i gjerë do të neutralizonte fuqinë e Listës Serbe dhe kushtëzimet e mundshme nga ky subjekt”, ka thënë Mushkolaj.

Analisti politik Arben Rugova ka vlerësuar se koalicioni PAN nuk do ta ketë edhe aq vështirë sa duket që ta formojë Qeverinë e re. Rugova ka thënë për “Zërin” se Ramush Haradinaj do të mundë të sigurojë më shumë se dy vota nga LDK-ja dhe nga AKR-ja.

“Duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor, koalicioni fitues nuk do ta ketë edhe aq vështirë sa duket ta formojë Qeverinë e re. PAN-i ka fituar 39 mandate dhe nëse ia shtojmë edhe numrin e mandateve të pakicave, atëherë mungojnë vetëm edhe dy vota për ta arritur numrin 61, gjë që nuk besoj se do ta ketë të vështirë t’i sigurojë koalicioni fitues nga koalicioni LDK-AKR-AL. Madje pres që i nominuari i PAN-it për kryeministër Ramush Haradinaj të sigurojë më shumë se dy vota nga LDK-ja dhe nga AKR-ja”, ka thënë Rugova.

Rugova më tutje ka thënë se disa deputetë nga LDK-ja dhe nga AKR-ja do të binden ta votojnë kabinetin e Haradinajt.

“Disa deputetë të këtyre dy partive do të binden ta votojnë kabinetin e Haradinajt pa pasur nevojë t’u premtohen tenderë e as terminalë deputetëve ashtu sikurse ka ndodhur në të kaluarën. Haradinaj do të marrë mbështetjen e tyre duke u nisur nga rrethanat në të cilat ndodhet Kosova dhe në nevojën për t’i kapërcyer sa më shpejt disa procese që po e mbajnë vendin peng prej më shumë se dy vjetësh”, theksoi Rugova. Ndërkaq ai ka shtuar duke thënë se Lista Serbe mund të fitojë dy pozita ministrore nëse bashkohet me koalicionin PAN.

“Sa i përket Listës Serbe, ajo mund t’i fitojë dy pozita ministrore dhe të tjera më të ulëta me koalicionin PAN, ndërsa me koalicionin tjetër eventual e të mundshëm për formimin e Qeverisë, pra të LVV-së me LDK-AKR-AL serbët do të fitojnë edhe më pak, ngase vota e tyre është e panevojshme. Megjithëkëtë, unë nuk pres që të ketë rast të dytë pasi nëse Lista Serbe përpiqet ta shantazhojë Haradinajn, pres nga LDK-ja ta votojë Qeverinë si parti opozitare”, tha Rugova.

E në anën tjetër, analisti Blerim Burjani ka thënë për “Zërin” se gjasat janë të vogla për formimin nga koalicionin PAN. Ai mendon se edhe po të ketë numra minimal 61 prapë s’do të mundë të merret me tema të mëdha.

“Gjasat janë të vogla përderisa fjalët e tyre mbresëlënëse dhe shumë optimiste, pavarësisht asaj që vështirësitë janë serioze për ta bërë Qeverinë. PAN-i edhe po t’i ketë numrat minimal 61 prapë s’do të mundë të merret me tema të mëdha dhe me ndryshime të mëdha, nuk do të mundë ta bëjë ushtrinë, nuk do të mundë të kalojë marrëveshje ndërkombëtare ku kërkohen 2/3 e deputetëve, nuk do të ketë stabilitet në udhëheqje, pastaj nuk ka program të qartë për të lëvize përpara përveç fjalëve boshe do ta bëjmë një retorikë që sillet në zhargonin e tyre qe 17 vjet. Këta njerëz janë shtjerë për shkak të paaftësisë profesionale dhe politikën e kanë parë si mjet përfitues, por jo si qeverisje për të mirën e qytetarëve”, tha Burjani.

Burjani më tutje ka thënë se Lista Serbe e ka të kotë kushtin që ia ka bërë koalicionit PAN. Sipas tij, PAN-i nuk do të falë poste për këtë subjekt që udhëhiqet plotësisht nga Beogradi.

“Lista Serbe e ka të kotë këtë. Partitë e tjera dhe as PAN-i asnjëherë nuk do të falin poste për ketë subjekt që udhëhiqet plotësisht nga Beogradi. Kjo është temë e kryer, më mirë zgjedhje sesa Qeveri të shantazhuar nga Lista Serbe. Po sikur të interpretohet Kushtetua gjasa s’ka të ketë Lista Serbe postin e kryeparlamentarit ose ndonjë post tjetër udhëheqës. Pra janë mbyllur rrugët kaherë në këtë temë”, tha Burjani.

Burjani mendon se më mirë do ishte të shkohet në zgjedhje sesa Qeveri të shantazhuar nga Lista Serbe, pa formim të ushtrisë që e pengojnë dhe gjitha të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme