Analistët parashohin një garë të ngushtë në kryeqytet, presin kandidatura më të “forta”

Prishtinë | 22 Maj 2021 | 08:00 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analistët presin një garë të fortë në kryeqytet për zgjedhjen e të paritë të komunës në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Madje ata thonë se partitë politike do të garojnë me figurat kryesore të tyre, pas zyrtarizimit të kandidaturës së Daut Haradinajt nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në mars të këtij viti, Haradinaj ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për të udhëhequr me kryeqytetin. Deri më tani asnjë nga partitë e tjera politike në vend nuk kanë paraqitur kandidatët e tyre për garën në Prishtinë.

Analisti politik Fitim Salihu, në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se kandidimi i Haradinajt do t’i jep një shtysë të fortë AAK-së në Prishtinë në zgjedhjet lokale.

“Besoj që Daut Haradinaj do ta jep një shtysë AAK-së në Prishtinë , do ta ketë besoj një rritje në Prishtinë tash befasi nuk e di se çfarë mund të llogaritim, nuk dihet se a do të jetë në balotazh por nuk besoj që do të ketë ndonjë rritje por një respekt që ia bën partia kryeqytetit duke ia dërguar figurën numër dy të partisë për të kandiduar dhe besoj që nëse jo për t’u futur në balotazh me energjinë që do ta shtojë Daut Haradinaj, AAK do të jetë një ‘king-maker'”.

“Mendoj që në fund kur të krijohet koalicioni sepse është shumë me rëndësi edhe me i pasë një kryetar dhe shumicën e asamblistëve për të qeverisur për katër vite dhe besoj që AAK-ja do të jetë një farë çelësi për partinë fituese për ta bërë numrin e duhur të nevojshëm të asamblistëve për të qeverisur katër vite”, tha Salihu.

Ai tutje thotë se nuk pret që kryetari i tanishëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti të kandidojë sërish, pasi e sheh shumë të vështirë sigurimin e një mandatit të tretë nga ai.

“Personalisht nuk pres, kjo nuk e përjashton mundësinë që ai edhe mund të kandidojë, personalisht nuk e  pres. Arsyeja e parë është fakti që ai ka dy mandate të konsumuara dhe edhe sikur të ishte pjesë e VV-së një parti që ka dalë e para në Prishtinë më 14 shkurt besoj që si mandat i tretë prapë do të ishte i vështirë për të fituar por edhe e dyta kur ia shton faktin që tani më ai nuk e ka përkrahjen as të Vetëvendosje,  po ashtu  dhe me gjasë nuk është pjesë as e PSD-së dhe si i vetëm do ta ketë jashtëzakonisht të vështirë të kandidojë”, theksoi tutje ai.

Mes tjerash, ai thekson se gara për kryeqytetin është shumë e rëndësishme , duke theksuar faktin që asnjë parti nuk duhet ta konsiderojë garën si të sigurt, sepse do jetë një garë shumë e ngushtë dhe mjaftë e paqartë.

“Natyrisht si gjithmonë gara për kryeqytetin është më e rëndësishmja dhe shumë herë dinë të jetë edhe më e ngushta, sido që të mund të duket percepsioni tash gabon secila parti që mendon se e ka garën e sigurt dhe besoj që prapë do të jetë gara e ngushtë dhe deri në natën e zgjedhjeve do të jetë e paqartë për më tepër kur hyn në kalkulim edhe balotazhi që shumë lehtë mund ta përmbys krejt lojën do të thotë fituesi është i paqartë dhe natyrisht që siç mund të shihen edhe partitë i propozojnë ose përfliten emra si të propozuar”.

“Figurat më të respektuar të partive për kryeqytetin,  kjo ka ndodhur deri më tash me ata që kanë qenë kandidat zyrtar dhe me ata që priten të jenë potencialisht kandidatë zyrtar të partive, kështu që natyrisht që janë figura më të forta, pritet të jetë garë e ngushtë, këtu nuk bën përjashtim as AAK-ja edhe PDK-ja por edhe VV dhe LDK duke besuar që do të shkojnë me kandidatët e tyre më të mirë dhe kjo do ta bëjë garën goxha të paqartë”.

Po ashtu edhe, Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, tha se pritet të jetë një garë e fortë për zgjedhjen e të parit të Prishtinës, duke shtuar që zgjedhjet lokale dinë të bëjnë befasi.

“Në fakt zgjedhjet lokale zakonisht kanë ditë që të bëjnë befasi për shkak se varësisht prej kandidatëve që kanë paraqitur partitë politike, pra kanë dal edhe me rezultat dhe në momentin që kur jemi nuk kemi edhe një sondazh se kush ku është sa i përket rezultateve, megjithatë me aq sa shihet dhe ashtu siç flitet në opinion pa diçka zyrtare, pritet të jetë një garë e fortë në kryeqytet e që shpresoj që epilogun e saj ta shohim shpejtë edhe ta kemi një kryetar për Prishtinën i cili zgjidhet prej qytetarëve”, tha ai.

Rrmoku tutje thotë se kandidatura e Daut Haradinaj do të ndikojë tek partitë e tjera në përzgjedhjen e kandidatëve të tyre.

“Në rastin konkret kandidatura e Daut Haradinaj për komunën  e Prishtinës është një kandidaturë e cila partia AAK ka paraqitur kandidaturën e saj që mendon se është më i forti dhe është i përshtatshëm për garën që pritet të jetë një garë e fortë në kryeqytet, dhe historikisht kryeqyteti ka qenë një prej garave kryesore në gjitha komunat prej gjitha partive dhe të gjitha partitë mundohen të paraqesin kandidatët e tyre më të mirë dhe programet e tyre të përshtatshme për ta fituar garën në kryeqytet”, thekson tutje ai.

Ai përfundon duke theksuar që secili nga kandidatët duhet të shpalos një program me objektiva të qarta për zgjidhjen e problemeve të Prishtinës.

“Sa i përket kandidatëve faktikisht vetëm tani flitet për emra prej partive politike që pretendojnë ta kenë kandidat, sa i përket garës në kryeqytet nuk e di se çka mund të konsiderojmë garë të ashpër megjithatë pres që kandidatët të cilët do të jenë në garë për kryeqytetin ta kenë një platformë politike me të cilën do të dalin para qytetarëve dhe do ta shpalosin përmes objektivave të tyre me të cilat synojnë t’i zgjedhin problemet e kryeqytetit”, përfundoi Rrmoku.

Të ngjashme