Analistët: Premtimet e politikanëve për liberalizim të vizave, joserioze dhe qesharake

Prishtinë | 06 Kor 2019 | 13:23 | Nga Ekonomia Online

Politikanët e Kosovës pothuajse tash e një dekadë shprehen optimistë duke premtuar liberalizim të vizave, por analistët vlerësojnë se premtime të tilla tashmë janë qesharake dhe boshe, të cilave nuk iu besojnë qytetarët e vendit.

Albana Rexha, hulumtuese e lartë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, theksoi se premtimet për liberalizim nga ana e politikanëve më nuk merren seriozisht nga askush.

Sipas saj, ngjashëm pasqyrohet edhe grupi punues për bashkpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë për harmonizimin e standardave për liberalizim të vizave.

“Duke qenë se afatet kohore dhe urimet për vizat janë bërë shumë të shpeshta, mendoj se tashmë nuk merren me seriozitet nga askush dhe në një masë të madhe duken ‘qesharake’. Ngjashëm pasqyrohet edhe grupi punues për bashkpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë për harmonizimin e standardave për liberalizim të vizave. Krijimi i këtij grupi punues jep mesazhe ambivalente, pasi që Kosova tashmë është vlerësuar pozitivisht sa i përket plotësimit të të gjitha kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për viza dhe ky instrument nuk duket të jetë menduar drejt, e aq më pak të ketë impakt real në vendimin për viza nga shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë Rexha, për Telegrafin.

Rexha rikujtoi se 2011-ta ishte viti kur Këshilli Evropian konfirmoi lansimin e dialogut për visa me Kosovën dhe riafirmoi se vendi mund të përfitonte nga liberalizmi i vizave.

Mirëpo siç tha ajo ky riafirmim ishte i kushtëzuar me plotësimin e 95 kritereve që ishin pjesë e kornizës dialoguese për viza.

Ndërkaq, Rexha theksoi se është fatkeqësi që Këshilli i BE-së edhe pas vlerësimit pozitiv të Komisionit dhe votimit pro-liberazimit nga Parlamenti, nuk e ka konfirmu të njëjtën.

E sot, vazhdoi tutje ajo, pas një dekade qytetarëve të Kosovës iu pamundësohet realizimi i të drejtës themelore, lëvizjes së lirë.

“Vlerësoj se mundësitë për liberalizim gjatë këtij viti janë të vogla dhe kjo situatë e krijuar në BE reflekton padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës, paqartësi dhe mos unitet të BE-së sa i përket lëvizjes së lirë dhe integrimit të Ballkanit në BE”, tha Rexha.

Edhe Artan Murati nga KDI, i tha Telegrafit se premtimet e politikës kosovare për libealizim të vizave për këtë vit janë boshe dhe të pakuptimta.

Murati u shpreh se është fatkeqësi që edhe pas disa viteve me radhë politikanët vazhdojnë të premtojnë data për diçka që nuk varet nga ta, e mbi të gjitha për një proces për të cilin nuk ka data as nga vetë BE-ja.

Ai potencoi se cështja e liberalizimit të vizave është shndërruar më tepër në një kampanjë elektorale të politikës së brendshme sesa në një objektivë reale për t’u arritur.

“Do të ishte pozitive që sivjet të mirrej vendimi për liberalizim, nëse binden shtetet e fuqishme të BE-së. Fokusi i institucioneve duhet të jetë këtu, në lobim, e jo në mashtrim të qytetarëve me data falso”, tha tutje Murati.

Ndryshe, ishte presidenti Hashim Thaçi, që më 2010 mbante postin e kryeministrit, ai që e nisi premtimin për vizat. Më pas me premtime të tilla dolën edhe Isa Mustafa e tash Ramush Haradinaj.

Në vitin 2010, Thaçi u kishte premtuar qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore se gjatë 15 muajve të qeverisjes së tij, qytetarët do të lëviznin lirshëm pa viza në vendet e BE-së.

Edhe në vitin 2013, ish-kryeministri Thaçi deklaroi se javët dhe muajt në vijim, do të jenë vendimtarë për liberalizimin e vizave.

Kur u tha se viti 2018 përfundimisht do të jetë viti i liberalizimit, ndërkombëtarët u kërkuan liderëve kosovarë mos të nguten në dhënien e datave për liberalizim dhe të mos mashtrohen qytetarët.

Por, pavarësisht kësaj, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli tha se 2019-a është përfundimisht viti i liberalizimit të vizave, e kryeministri Haradinaj uroi qytetarët.

Edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, është shprehur i bindur për vite me radhë se qytetarët e Kosovës “shumë shpejt” do të lëvizin pa viza.

Edhe në Qeverinë e Isa Mustafës, zyrtarët qeveritarë kishin festuar disa herë liberalizmin e vizave. Atë kohë, ministër i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, në maj të vitit 2016, hapi madje edhe një shampanjë në zyrën e tij për të festuar liberalizimin e vizave.

Pas takimit të fundit në Samitin e Berlinit, përsëri, edhe kryeministri Ramush Haradinaj edhe presidenti Hashim Thaçi, u deklaruan se ka shenja që liberalizimi të ndodhë këtë vit.

Mirëpo qytetarët e Kosovës, ende janë në pritje se kur do të ndodh “festa e madhe”, dhe se a a do të mbahet ky premtim i politikanëve që nisi tash e gati një dekadë. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme