Analistët reagojnë pas rekomandimit të IKShPK-së që të shtyhet procesi zgjedhor

Prishtinë | 11 Sht 2021 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani, ka rekomanduar që zgjedhjet lokale të shtyhen për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.

E për rekomandimin e bërë nga IKSHPK, ka reaguar analisti politik, Albert Krasniqi, i cili thotë se analiza e tyre po i ngjanë një pamfleti partiak, transmeton Telegrafi.

“Analiza “profesionale” e IKSHPK-së më shumë po i ngjanë një pamfleti partiak sesa një vlerësimi profesional. Nuk përmban asnjë të dhënë për të mbështetur rekomandimin për shtyrje të zgjedhjeve. Për më tepër, po bije në kundërshtim edhe me shifrat që një ditë më parë na i prezantojë Kryeministri për përmirësim të gjendjes me pandeminë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi në reagimin e bërë thotë se si mund të iu besohet parashikimeve të IKSHPK-së, kur muaj më parë është akuzuar nga Qeveria se ka bërë rekomandime të gabuara.

“Si mund t’i besojmë parashikimeve të IKSHPK-së për muajt e ardhshëm, e cila u akuzua nga kjo Qeveri se ka bërë rekomandime të gabuara për hapjen gjatë verës, si dhe ka llogaritur gabimisht që diaspora do të vije e vaksinuar?!

Sot, IKSHPK do të duhej të dilte me protokolle të detajuara se si të zhvillohet fushata e të organizohen zgjedhjet në kohë të pandemisë”, thotë mes tjerash ai.

Për rekomandimin e IKSHPK-së ka reaguar edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Cakolli thotë se “Para se me fillu me marrë seriozisht edhe profesionalisht këtë rekomandimin e IKSHPK-së për shtyrjen e zgjedhjeve, duhet me u qartësu disa çështje”.

“Së pari, kush dhe me çfarë motivi e ka kërku këtë vlerësim? Pse ky vlerësim po bëhet tash, më shumë se një muaj para zgjedhjeve? A nuk na u tha para pak dite se situata ka parametra të përmirësimit? A ka bërë IKSHPK-ja analizë mbi ndikimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit në rritjen e rasteve? A ka qenë problem fushata apo dita e zgjedhjeve, edhe pse cilido me njohuri minimale e di se problemi kryesor ka qenë fushata?”, thotë ai.

Cakolli pohon tutje së asnjë vend më nuk i shtyn zgjedhjet për shkak të situatës me pandeminë.

“Asnjë vend më nuk i shtyn zgjedhjet për shkak të situatës me pandeminë. Kosova s’ka pse të jetë i vetmi. Qytetarëve s’duhet t’u mohohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes në një periudhë kur dihet se me vaksinim dhe respektim të masave ka potencial të vogël të rritjes së rasteve. Në vend se të ketë konsultime mbi këtë rekomandim koti, duhet punë intensive për të përditësuar manualet për organizimin e zgjedhjeve në pandemi”, deklaroi ai.

Ndryshe, Task Forca e IKSHPK-së në letrën drejtuar presidentes ka thënë se rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor.

“Rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimet e qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën që IKSHPK-ja ia ka dërguar presidentes Osmani.

Zgjedhjet lokale janë planifikuar të mbahen më 17 tetor.

Të ngjashme