Analistët serbë të diplomacisë: Serbia hyn në BE vetëm bashkë me Kosovën si dy shtete

Prishtinë | 05 Kor 2021 | 11:42 | Nga Ekonomia Online

Pas propozimit të ish-ndërmjetësit të Bashkimit Evropian në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper që të dy shtetet të pranohen së bashku në BE gjeti jo pak mbështetje, disa analistë serbë besojnë se qëndron kërkesa e “fshehur” që Serbia ta njohë Kosovën e pavarur, transmeton Gazeta Express.

Diplomati i pensionuar serb, Zoran Millivojeviq dhe analisti politik serb, Dejan Vuk Stankoviq thonë se BE-ja nuk e ka ndërmend të zgjerohet, por gjithashtu nuk dëshiron të ketë “territor konflikti” në radhët e saj.

Millivojeviq shton se, edhe nëse, në mënyrë hipotetike, do të caktohej një precedent politik për Brukselin për të rënë dakord, nuk do të kishte konsensus midis vendeve evropiane që Serbia të anëtarësohej në BE duke e konsideruar Kosovën si pjesë të saj, sepse shumica e vendeve anëtare të BE njohën një Kosovë të pavarur.

“Pyetja është se kur do të plotësohen disa kushte në mënyrë që anëtarësimi i Serbisë në BE të diskutohet dhe deri atëherë duhet të kërkohet zgjidhje në lidhje me Kosovën. Anëtarësimi në BE do të nënkuptonte një lloj njohjeje të Kosovës së pavarur, kështu që unë nuk shoh një model për të cilin mund të realizohej një plan i tillë, pa kuptimin e përkufizimit të shtetësisë së Kosovës”, shprehet Millivojeviq. “Shtetet që e kanë njohur Kosovën nuk janë të interesuar për zgjidhjen”, beson ai.  

I pyetur se si do të funksiononin Serbia dhe Kosova pas të pranuara në BE, Millivojeviq tha se si shteti ashtu edhe kufijtë do të respektoheshin në BE.

Stankoviq, nga ana tjetër, thekson se Bashkimi Evropian ia ka bërë me dije për një kohë të gjatë Beogradit se kushti kryesor për t’u anëtarësuar në BE është njohja e Kosovës.

“Është duke u bërë e qartë se çështja e Kosovës ka filluar të jetë shumë e rëndësishme për Perëndimin, dhe ata do të insistojnë që Serbia ta njohë Kosovën. Sa i përket BE-së, unë mendoj se edhe ata që po punojnë në Bruksel për zgjerimin e Unionit nuk besojnë se ndonjë shtet nga ky rajon në të ardhmen e afërt, pas Kroacisë, do të bëhet anëtar i tyre”, thotë Stankoviq.

Brukseli nuk e njeh Rezolutën 1244

Stankoviq është i qartë në qëndrimin e tij se BE-ja nuk do t’i ndryshojë pozicionet e saj për asnjë arsye, por se do të drejtohet nga situata në terren.

“Evropa thjesht nuk do të importojë konflikte. Për ta, fakti që Kosova është shtet i pavarur është i pamohueshëm, dhe se si Serbia do të merret me këtë është çështje dytësore për BE-në. Ata nuk janë të interesuar të rishikojnë politikën e tyre përveçse t’i verifikojnë faktet politikisht, sepse çdo ndryshim tjetër, sipas mendimit të tyre, do të ishte shumë më i ndërlikuar dhe më i rrezikshëm për sigurinë”, thotë Stankoviq.          

Serbia, shton ai, nuk ka mbështetje brenda Bashkimit Evropian për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Të dy analistët serbë të diplomacisë janë të bindur se nuk ka asnjë shans që Serbia të hyjë në BE pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Të ngjashme