Analistët të zhgënjyer nga mungesa e bashkëpunimit Qeveri-Kuvend: E kanë humbur rrugën në oborr

Prishtinë | 17 Kor 2022 | 09:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Analistët politikë thonë që ka mungesë të bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, e këtë e dëshmon më së miri mosmiratimi i shumë projektligjeve të cilat konsiderohen jetike për qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Ani pse Lëvizja Vetëvendosje, ka shumicën e deputetëve në Parlament, seancat shpesh ndërpiten për mungesë kuorumi.

Ish-zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra, në një intervistë për Ekonomia Online thekson se po vërehet një mungesë e bashkërendimit Qeveri-Kuvend.

Ajo thotë se ka pasur pritje që të paktën ligjet e propozuara nga Qeveria të përkrahen nga deputetët e shumicës, në këtë rast të Vetëvendosjes.

“Prej asaj që po shohim nga seancat dhe nga të gjitha ligjet që po shkojnë nga Qeveria për në Kuvend, po vërehet që mungon një bashkërendim çfarë do të duhej të ishte me këtë rast. E keni parasysh që Lëvizja Vetëvendosje ka shumicën parlamentare, një shumicë që nuk ka ndodhur ta kishte dikush më herët dhe pritjet tona do të ishin që, ligjet të cilat shkojnë aty ta kenë përkrahjen të paktën të deputetëve të tyre. Ndërkaq nga seancat ne po shohim që në shumicën e seancave përveç që edhe opozita nuk është ndonjëherë e rregullt, edhe shumica parlamentare po mungon me deputetët e saj. Fatkeqësisht, duhet të themi, sipas mendimit tim është që po mungon një bashkërendim”.

Shkodra thotë se LVV ani pse ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ata  po dështojnë që të jenë të pranishëm në seanca. Sipas saj, në këtë aspekt edhe qytetarët e vendit janë të zhgënjyer.

“Në të kaluarën është parë që kur nuk ka qenë një kësi lloj konstilacioni i forcave politike në parlament është dashur patjetër që partia e cila ka qenë në pushtet të bëjë një bashkërendim me të gjitha partitë tjera politike sepse për të kaluar një ligj të nevojitet shumica. Kështu që, pritjet kanë qenë që çdoherë të zhvillohen bisedime paraprakisht, në mënyrë që ta ketë mbështetjen e deputetëve. Në këtë rast LVV përkundër numrit të saj, ajo po dështon që të paktën deputetët e saj ti ketë në seancë. Unë, besoj edhe qytetarët po zhgënjehemi nga kjo qasje dhe pritjet tona kanë qenë krejtësisht të tjera”.

Ajo thotë se ka pak rezultate nga të dyja këto institucione, duke përshkruar bashkërendimin e aktiviteteve ndërmjet tyre me një fjalë të urtë popullore “duket se e kanë humbur rrugën në oborr”.

“Mendoj që do të mund të ishte një bashkërendim më i mirë, bashkëpunim më i madh, por më duket që në një farë mënyre mua po më duket se sikur e kanë humbur rrugën në oborr, ndoshta, angazhimet e shumta të Qeverisë dhe Kuvendi në këtë mënyrë si po funksionon dhe rezultatet po shihen. Në fakt nuk kemi shumë rezultate”.

Edhe Arbnor Sadiku, analist politik thotë se ka pasur progres në hartimin e disa ligjeve, por ngecje ka në miratimin e tyre në Kuvend.

“Sa kemi parë ne për 1 vit e 6 muaj, Qeveria Kurti 6 mujorin e parë ka pasur probleme të theksuara në raport me shtyrjen e ligjeve përpara dhe hartimin e tyre në gjithë sektorët e saj. Kurse mendoj që në 6 mujorin e dytë, veçanërisht në 3 mujorin e vitit të dytë të qeverisjes ka pasur rezultate më të mira. Kemi pasur veçanërisht disa ministri, p.sh Mistria e Drejtësisë, Ministria e Pushtetit Lokal e disa ministri të tjera që kanë pasur progres në kuptimin e hartimit të ligjeve dhe përcjelljes së tyre në Kuvend”.

“Kurse, nga aspekti i miratimit të tyre në Kuvend, mendoj që ka pasur ngecje për arsye se aty deputetët secili veç e veç  i bënë kalkulimet e ti ose saj, për arsye që rrethin që vjen, votuesit që i përfaqëson sa më shumë t’i përfshij interesat e tyre apo ndoshta të vetat personale në ato ligje. dhe shpesh herë kemi bllokada të tilla të ligjeve që për shkaqe të interesave politike ditore midis deputetëve qoftë të pozitës dhe atyre të opozitës ku kërkohet vota për disa ligje edhe nga opozita, ngecin tutje dhe si me thënë kemi pasur progres më të ulët nga kuvendi, kurse kemi pasur më tepër arzhoritet edhe progres nga Qeveria, po flas për vitin e dytë dhe përcjelljen e ligjeve në Kuvend”.

Sadiku thotë se është përgjegjësi e deputetëve të LVV-së dhe Listës Guxo që të kenë pjesëmarrje më të madhe në Kuvend, duke pasur parasysh se përfaqësojnë shumicën parlamentare.

Sipas tij, nëse ligjet nuk miratohen nga ana e tyre, më pas krijohen probleme të cilat i kushtojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës, shtuar kësaj edhe pasoja ekonomike, politike  e juridike, raporton EO.

“Po realisht, ka mundur me pas një progres më të madh, po siç e dimë Lëvizja Vetëvendosje shumicën e deputetëve pothuajse 2/3 e tyre i ka deputetë të rinj të cilët nuk a kanë përvojën e duhur në parlament dhe nuk dinë se si ti qasen ligjeve të reja që i procedon Qeveria e Kosovës në Parlament. Sigurisht që kryetari i Parlamentit është vetëm një moderues dhe si me thënë një bashkëkrijues i kohezionit midis subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend, po ai në një farë forme nuk mund ti detyroj secilin deputet veç e veç që të votojnë për ligje të caktuara”.

“Prandaj është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, veçanërisht e atyre të pozitës që përfaqësohen nga LVV dhe Lista Guxo që të jenë më azhurt, të kenë një pjesëmarrje më të madhe në Kuvend dhe ti votojnë nismat apo ligjet të cilat i procedon Qeveria Kurti. Nëse ato nuk miratohen, pastaj kemi zvarritje dhe probleme të cilat i kushtojnë gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse baza kryesore e atyre ligjeve që duhet të miratohen është Kuvendi i Republikës së Kosovës. Pa miratimin e këtij institucioni asnjë ligj nuk mund të funksionoj praktikisht në Kosovë. Kjo sigurisht që shkakton pasoja, qoftë ekonomike, qoftë politike dhe juridike”.

Të ngjashme