Analistët: Thaçi negociator i dobët dhe jo unifikues

Prishtinë | 28 Pri 2018 | 14:39 | Nga

Deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk është njeriu i duhur për t’i udhëhequr bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, janë mbështetur edhe nga analistë dhe njohës të këtyre rrethanave politike në Kosovë.

Sipas tyre, Thaçi përveçse deri tani ka udhëhequr dialogun gabimisht, ai nuk përfaqëson unitetin politik të vendit.

Analisti Belul Beqaj, në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se Thaçi sot ka bazë formale, por nuk ka mbështetjen e domosdoshme unike, që është kusht pa të cilin nuk mund të përfundojë dialogu me sukses.

Sipas tij, dialogun nuk duhet udhëhequr ai që praktikisht deri tani e ka udhëhequr gabimisht dhe pa bazë formale, ndërsa përmendi edhe ‘bajraktarizimin’ si sindromë nga e cila vuajnë liderët kosovarë.

“Se vuajnë nga sindroma e bajraktarizmit liderët të Kosovës, nuk duhet të diskutohet fare, por në rastin e udhëheqjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, më shumë se mentaliteti i bajrakatrizmit duhet të kihet parasysh ana përmbajtësore. Kjo do të thotë se dialogun nuk duhet udhëhequr ai që dialogun deri tashti praktikisht e ka udhëhequr gabimisht dhe pa bazë formale. Thaçi sot ka bazë formale, por nuk ka mbështetjen e domosdoshme unike që është ‘condicio sine qua non’ (kusht pa të cilin nuk mundet ) për të përfunduar me sukses dialogu”, ka thënë Beqaj.

Ai e ka kundërshtuar edhe nga këndvështrimi i tij si qytetar hipokrizinë e ndërkombëtarëve të cilët, siç u shpreh ai, në njërën anë në raportin e Dick Martit e konsiderojnë Thaçin si kryeprotagonist të dyshuar për krime të luftës dhe potencialisht si të dyshuarin kryesor të Gjykatës speciale ndërkombëtare, ndërsa në anën tjetër, e mbështesin si kryeprotagonistë të dialogut.

“Derisa të jetë i dyshuar kryesor nga raporti i D. Martit, plotësisht është e arsyeshme pse dyshohet se ai ka qenë dhe është i shantazhuar, prandaj duhet zgjedhur një personalitet tjetër të aftë, të përgjegjshëm dhe unifikues”, tha ai.

Edhe analisti tjetër, Imer Mushkolaj, u shpreh se Thaçi nuk përfaqëson unitetin politik dhe as shoqëror të vendit, pasi që me veprimet e veta nuk është person me kredibilitet dhe integritet për t’i udhëhequr bisedimet.

“Një konsensus politik e shoqëror do të mund të nxirrte një emër të pranueshëm për të gjithë. Thaçi është treguar negociator i dobët me Serbinë dhe kjo është arsye tjetër qe ai të mos vazhdojë më”, ka potencuar për Telegrafin Mushkolaj.

Ndryshe, takimi i fundit i Presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mbajtur para një muaji në Bruksel me lehtësimin e përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme