Analistët thonë se Serbia në mënyrë institucionale po mundohet t’i fsheh krimet

Prishtinë | 05 Tet 2020 | 19:41 | Nga Ekonomia Online

Me deklaratat e fundit të zyrtarëve të Serbisë, që dënojnë krimet e kryera në Kosovë, po cënohet edhe Marrëveshja e Uashingtonit, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë. Qeveria e Kosovës, kërkon nga BE-ja dhe SHBA-ja që të reagojnë dhe t’i dënojnë këto veprime të palës serbe.

Përfaqësuesit politikë në Prishtinë, vazhdojnë të dënojnë gjuhën fyese të zyrtarëve në Beograd të cilët po i mohojnë krimet e kryera gjatë luftës së fundit.

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, mes tjerash ka kërcënuar edhe serbët që tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve të vrarë.

Qeveria e Kosovës e ka dënuar këtë deklaratë, nderkaq, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia akoma po udhëhiqet nga mendjet gjenocidale.

Kurse analisti politik Faton Abdullahu, thotë se Serbia po tenton ta fsheh krimin edhe në mënyrë institucionale.

“Serbia po mundohet të fsheh krimet që ka bërë ndaj shqiptarëve. Këtë po mundohen ta bëjnë edhe në mënyrë institucionale. Kjo tregon se edhe pas 20 viteve Serbia nuk ka ndryshuar, madje për më keq, po mundohet t’i mbrojë ata që kanë bërë krime…Gjykata Speciale po mundohet të bashkëpunojë me këta tipa njerëzish në Serbi për t’i gjykuar pjesëtarët e UÇK-së”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Faton Abdullahu.

E Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se këto deklarata vijnë si pasojë e mungesës së një mekanizmi detyrues, që i bën palët t’i respektojnë marrëveshjet.

“Kjo pikë e ndjeshme, siç janë personat e pagjetur, dhe deklarata e Daçiqit vjen si pasojë se nuk ka ndonjë mekanizëm detyrues të Marrëveshjes së Uashingtonit që i detyron palët që t’i mbajnë këto zotime”, deklaroi Arbër Fetahu.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që liderët në Ballkanit Perëndimor të përmbahen nga deklaratat të cilat mund të jenë në dëm të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.

Të ngjashme