Analisti politik: Kosova po përdoret si mjet për avancimin e Serbisë drejt BE-së

Prishtinë | 15 Kor 2021 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Shemsi Jashari, ka komentuar takimin e ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të mbahet të hënën më 19 korrik, në Bruksel.

Jashari në një prononcim për ‘Gazeta Blic’, vlerëson se takimi i radhës në Bruksel nuk do të ketë asnjë përparim në dialog, e krejt kjo sipas tij, për shkak se ka qëndrime të ngurta të të dyja palëve.

“Takimi i radhës në Bruksel, do të jetë një takim sa për tu takuar dhe nuk do të ketë asnjë përparim në dialog. Kjo pasi kemi qendrime të ngurta të të dyja plëve dhe secila palë takimin e shfrytëzon sa për të dëshmuar se nuk janë kundër dialogut, por jo se duan përparim dhe veprime që qojnë drejtë një marrveshje finale. Ndoshta do të diskutohet për të gjetur një zgjidhje për agjendën, se çka do të bisedohet në të ardhmën pas pushimeve verore, por asgjë më shumë. Si zakonisht secila palë do të kthehet në vendin e vet duke paraqitur vetën si konstruktiv por palën tjetër destruktive dhe kjo për të kënaqur opinionin e brendshëm”, deklaron ai.

Jashari, thotë se pala Kosovare nuk duhet t’i nënshtrohet presionit të BE-së. Derisa thekson se, Kosova po përdorët si mjet për avancimin e Serbisë drejt BE-së.

“Mendoj se pala Kosovare duhet të mos jetë zemërgjër dhe të mos i nënshtrohet presionit të BE-së, pasi është vetë BE-ja e cila ka dështuar të mbaj premtimet rreth liberalizimit të vizave dhe shihet qartë se ky dialog po bëhët për ti mundësuar Serbisë ecjen drejt BE-së, por për Kosovën asnjë përparim dhe ne po përdoremi si mjet për avancimin e Serbisë drejt BE-së”, deklaron ai.

Tutje, ai thotë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë një gjuhë të kuptueshme me opoziten, pasi që, sipas tij, dialogu nuk është temë e një partie, por ka të bëjë me interesin nacional.

“Qeveria e Kosovës, duhet të jetë më transparente dhe të raportoj para kuvendit për strategjinë dhe veprimet rreth dialogut dhe të gjejë një gjuhë të kuptueshme me opoziten, pasi dialogu nuk është temë  e një partie por ka të bëjë me interesin nacional dhe në raport me Serbinë duhet të kemi një zë”, deklaron ai.

Kujtojm se takimi i radhës Kurti-Vuçiq, pritet të mbahet me 19 korrik.

Të ngjashme