Anëtari i Kryesisë së PDK-së: Teste për Vitinë, Sveçlen e Haxhiun pat, por jo edhe për Agonin që u vetëvra

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Donjet Bislimi, po pretendon se i riu që u vetëvra në Konviktin e shndërruar në karantinë, do të mund të ishte i gjallë nëse do t’i ishte bërë me kohë testi për Coronavirus, që rrjedhimisht mund ta lironte gjilanasin nga karantina.

Sipas tij, testim për pandeminë bënë Ministrat Albulena Haxhiu, Arben Vitia e Xhelal Svecla, por nuk pati një të tillë për Agonin, 26 vjeç që tashmë është i ndjerë.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Partia Demokratike gjatë gjithë kësaj kohe të pandemisë, i ka terhequr vëmendjen qeverisë e ka bërë thirrje për më shumë teste. Një test kushton rreth 30 euro e po të ishin blerë e përdorur më shumë teste për qytetarët e riatdhesuar, as nuk do të kishte fare nevojë për karantinimin e tyre. Do kishte mjaftuar që t’ua bënim testin në aeroport në mbërritje, kishim pritur për rezultatin e mandej shumicën që do dilte pa infeksion do ishte lejuar që të shkonte në shtëpi. Më shumë kushton mbajtja e të riatdhesuarve në karantinë për dy javë sesa një test i thjeshtë. Pra po të kishim teste mjaftueshëm, Agon Musliu do e kishte bërë në aeroport testin e do ishte sot në shtëpinë e tij në Livoç të Epërm të Gjilanit me të dashurit e tij.

Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosja gjithmonë është thirrur në barazi e përkujdesje për grupet e margjinalizuara, por kur erdhën në pushtet u treguan elitar dhe ato pak teste që kishin në dispozicion, i përdorën më së pari për veten e tyre. Pra normalisht testet janë përdorur ose për ata që kanë pasur simptoma të infeksionit covid 19 ose kanë qenë persona të afërt të kontaktit me individët e infektuar ose kanë ardhur nga vatrat e nxehta të epidemisë. Kurti dhe qeveritarët e tij abuzuan me pushtetin dhe privilegjuan veten edhe pse nuk kishin asnjë nga këto kritere ia bënë vetes testet.

Prandaj, sot me të drejtë ngritet dilema se sikur testet të ishin në dispozicion për Agonin në kohën e duhur, e jo për Albulena Haxhiun, Xhelal Sveqlen dhe Arben Vitinë, ndoshta Agoni sot do të ishte gjallë. Po të kishte teste të mjaftueshme, nuk do të kishte fare nevojë që të riatdhesuarit të karantinohen në ato kushte mizerabël të papërshtatshme ku janë futur. Po të kishim më shumë teste, nuk do të kishte trajtim selektiv diskriminues në përzgjedhjen e atyre që detyroheshin të futeshin në karantinë dhe ata që lejoheshin të largoheshin prej saj ose mos të futeshin fare.

Karantimi si keqmenaxhim, duke futur dhe lëshuar qytetarë në bazë të preferencave politike, familjare dhe me urdhëra të ministrave të shkarkuar, është një nga pistat e hetimeve me të cilën do të duhet të merret prokuroria e shtetit. Një menaxhim i mirë, i luftës kundër pandemisë duke ndjekur këshillat e OBSH-së për më shumë teste, nuk do të lejonte që Agon Musliu të futej fare në karantinë sepse një test për të apo të gjithë të riatdhesuarit, e kishin bërë të panevojshme fare karantinën e tyre.

Të ngjashme