Ankohen komunat: U njoftuam brenda natës për hapjen e çerdheve, funksionimi gati i pamundur

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 15:29 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Edhe pse tashmë çerdhet në Kosovë kanë të drejtë të ushtrojnë punën e tyre, kjo nuk po ndodh me të gjitha komunat në Kosovë.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se gjatë të hënës nuk kanë nisur punën çerdhet, sepse, sipas tij vendimi i institucioneve qendrore është shpallur vonë dhe komunat e kanë pasur të pamundur përgatitjen.

Ai më tutje ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.

“Për hapjen e çerdheve së pari duhet të sigurohet ushqimi për fëmijë, duhet të sigurohet se a plotësohet numri i fëmijëve në klasë dhe drejtorët komunal të arsimit kanë menduar që këto kushte nuk janë plotësuar që çerdhet të operojnë nga dita e sotme”.

“Neve si Asociacion konsiderojmë që ka pasur një mungesë të bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të nivelit qendror dhe atij lokal sa i përket kësaj çështje dhe shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit që një bashkëpunim jo i mirë të mos përsëritet në të ardhmen dhe në ditët në vijim komunat t’i hapin çerdhet”.

“Komunat pasi kanë marr mbrëmë udhëzuesin në orët e vona të mbrëmjes sot kanë filluar që të kujdesen për hapjen sa më të shpejt të çerdheve dhe shpresojmë që në ditët në vijim t’i hapin çerdhet”.

Mes tjerash Ibrahimi ka thënë se në bazë të vlerësimit të drejtorëve komunal kriteret që janë kërkuar nga udhëzuesi për hapjen e çerdheve kanë qenë të pamundura të plotësohen.

“…mbrëmë në orët e vona kemi pranuar një e-mail ku drejtorët komunal të arsimit kanë pranuar një udhëzues sa i përket plotësimit të kritereve për hapjen e çerdheve dhe në bazë të vlerësimit të drejtorëve komunal po edhe në bashkëpunim me kryetarët e komunave është konstatuar që kriteret që kërkohen nga udhëzuesi janë të pamundura të plotësohen brenda natës”.

“Mirëpo përveç kritereve që janë kërkuar nga ky udhëzues duhet të merret parasysh që së pari duhet të bëhet pastrimi i çerdheve, dezinfektimi i çerdheve, sigurimi i ushqimit për çerdhet, ndarja e nxënësve nëpër klasa dhe caktimi i numrit, dhe në përgjithësi nuk ka pasur kushte dhe as parakushte, tha ai për EO.

Ai ka thënë që komunat nga dita e sotme kanë filluar me procesin e pastrimit të çerdheve dhe masat e tjera që kërkohen nga ky udhëzues.

“Komunat që sot kanë filluar me procesin e pastrimit të çerdheve dhe masat e tjera të cilat kërkohen nga ky udhëzues i cili është mbrëmë vonë është dërguar dhe shpresojmë që gjatë këtyre ditëve komunat t’i hapin çerdhet, dhe ne mund të konstatojmë që komunat janë duke e bërë të pamundurën, janë duke punuar dhe kanë angazhuar stafin e vet komunal që të përshpejtojnë procesin për hapjen e çerdheve”.

Ibrahimi thotë që udhëzuesi paraprakisht do të duhej të diskutohet me drejtorët komunal të Arsimit, implementimi të ishte më i lehtë.

“Problemi qëndron që ka munguar bashkëpunimi se nëse ai udhëzues do të diskutohej paraprakisht me drejtorët komunal të arsimit, edhe implementimi apo zbatimi i atij udhëzuesi do të ishte më i lehtë, por ne shumë vonë e kemi pranuar dhe për këtë arsyet nuk kanë qenë të gatshëm për shkak të kritereve që janë paraparë në atë udhëzues”.

“Asociacioni dërgon përsëri një porosi në nivelin qendror që për kompetencat e nivelit lokal çka do që të ndodhë në nivelin lokal komunat duhet të konsultohen paraprakisht e jo si ashtu që është vepruar ditën e djeshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se MAPL-ja duhej të konsultohej me përfaqësuesit legjitim të komunave sa i përket kompetencave të nivelit lokal, raporton EO.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është pjesë e qeverisë së Kosovës dhe ministrat e kësaj ministrie janë pjesë e kabinetit qeveritar dhe mu më habit fakti se si një ministër i këtij dikasteri nuk e ka ngrit këtë shqetësim në takimin e djeshëm të qeverisë që thotë se komunat nuk mund të bëhen gati brenda natës që të hapin çerdhe dhe kërkojmë MAPL që në këto çështje të konsultohet me përfaqësuesin legjitim të komunave për hapat sa i përket kompetencave të nivelit lokal”.

Një nga vendimet që u morr në mbledhjen e djeshme të qeverisë  ishte edhe rihapja e kopshteve dhe çerdheve mosha 0-5 vjeçe.

Të ngjashme