Antikorrupsioni kërkon procedurë disiplinore ndaj kryeshefit të Agjencisë së Barnave

Prishtinë | 06 Mar 2018 | 07:32 | Nga

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht nga ministri Uran Ismaili, që të nisë një procedurë disiplinore ndaj kryeshefit të Agjencisë Kosovarë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM), Jeton Shala, lidhur me një punësim që ka ndodhur në këtë agjenci në vitin 2016.

Nëpërmjet një shkrese dërguar Ismailit në janar të këtij viti, AKK-ja ka konstatuar se Shala, në kundërshtim me Ligjin për shërbimin civil, ka punësuar në këtë agjenci Gëzim Shabanin, i cili në të njëjtën kohë ka qenë asamblist i PDK-së në Komunën e Mitrovicës, shkruan sot Koha Ditore.

“Kërkojmë nga ju që të filloni procedurën disiplinore ndaj zyrtarit Jeton Shala, kryeshef i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, për shkak se AKK gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të siguruar nga AKPPM gjen së Gëzim Shabani, përderisa ka qenë këshilltar komunal në Komunën e Mitrovicës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kishte pasur me AKPPM-në një marrëveshje për shërbime të veçanta nga data 18.3.2016 e me validitet deri gjashtë muaj, përkatësisht deri më datën 18.9.2016, sipas konkursit me referencë 2.2016 të datës 22.2.2016”, thuhet në kërkesën e AKK-së, të cilën e ka siguruar gazeta.

Këtë marrëveshje, sipas AKK-së e kishte nënshkruar Shala.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme