Apeli gjen gabime elementare të Themelores në gjykimin e “Stenta 1”

Prishtinë | 11 Jan 2020 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, dhe ish-sekretari i MSh-së, Gani Shabani, pritet të rigjykohen përsëri për korrupsion.

Kjo pasi që Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë proces gjyqësor në rigjykim, pasi ka identifikuar rreth 15 shkelje të kryera nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Prishtinë, për mënyrën se si ka gjykuar dhe dënuar Aganin dhe Shabanin.

Nga aktvendimi i Apelit del se gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë bërë edhe shkelje elementare të shumë dispozitave.

Në aktvendimin prej 30 faqesh të siguruar nga Koha Ditore, shpjegohen në mënyrë të detajuar shkeljet e gjyqtarëve për këtë rast.

Aty thuhet se gjykata e shkallës së dytë nuk e ka të qartë se si trupi gjykues i Gjykatës së Prishtinës ka bërë vlerësimin e ligjshmërisë se marrëveshjeve të MSH-së me spitalet private, për ofrimin e shërbimeve që nuk ofroheshin në sistemin publik.

Apeli, arsyetimin e fillon me kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale. Nga shkalla e parë, Agani është dënuar për korrupsion edhe për paratë që i ka dhënë MSh-ja kur ky nuk ka qenë fare ministër.

Për më tepër, Apeli konsideron se gjyqtarët nuk e kanë pasur të qartë se si shpenzohen paratë e kategorisë së subvencioneve.

Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas Apelit, e ka arsyetuar në mënyrë jo të duhur mënyrën se si kryhet një vepër penale në bashkëkryerje, e që në këtë rast pretendohet se është kryer në bashkëpunim nga Agani dhe Shabani, raporton KTV.

Apeli ka gjetur se gjyqtarët e Themelores kanë “përzier” edhe licencimin e institucioneve private me licencimin e profesionistëve shëndetësorë, e që janë dy procedura plotësisht të ndryshme.

Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas Apelit, fillimisht e ka konstatuar dëmin që është bërë për shkak të marrëveshjeve me spitale private për vendosjen e stentave rreth 4 milionë euro e gjysmë. Por kjo shifër nuk është arsyetuar.

Pasi rrallëherë ndodh një gjë e tillë, Apeli ia ka dhënë 11 rekomandime Gjykatës Themelore në Prishtinë, se si të veprojë kur të fillojë rigjykimi në këtë rast.

Përveçqë kërkon që trupi gjykues t’i këtë këto dosje, obligon Themeloren që të angazhojë ekspert financiar, që të konstatojë me saktësi dëmin financiar në këtë rast.

Themelorja i kishte dënuar Aganin me dy vjet e gjysmë e Shabanin me 2 vjet burg, për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Të ngjashme