Apostolova: Është interes kombëtar i Kosovës të normalizojë raportet me Serbinë

Prishtinë | 19 Pri 2017 | 11:08 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka thënë se është në interesin nacional të Kosovës që të zgjidhë çështjet e hapura me Serbinë nëpërmes normalizimit të marrëdhënieve.

Apostolova tha se BE-ja pret që dy vendet të kthehen në tryezën e bisedimeve sa më shpejt dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të krijohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ajo i bëri komentet në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) me temën “4 vjet pas marrëveshjes së prillit midis Kosovës dhe Serbisë: Sa po ndihmon dialogu politik?”.

Sipas saj, marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve, para së gjithash, do të përmirësonin jetën e njerëzve. “Së dyti, do të përmirësonin marrëdhëniet brenda Kosovës në mes të serbëve dhe shqiptarëve në mënyrë reciproke. Dhe së treti, do ta ndihmonin Kosovën të arrijë përparim në rrugën e saj evropiane”.

“Dialogu Prishtinë-Beograd është një mjet që i kombinon të trija proceset. Prandaj është në interesin kombëtar të Kosovës që të marrë pjesë në këtë proces dhe të luajë një rol pro-aktiv dhe konstruktiv”.

Në këtë kontekst, sipas Apostolovës, duhet të shihet edhe Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “U ra dakord mes dy palëve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është në kuadër të kornizave të dialogut që BE-ja pret që marrëdhëniet mes palëve të normalizohen më tej dhe Asociacioni të krijohet sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Progresi në dialog është një parakusht për të dy vendet që të bëjnë progres në rrugët e tyre përkatëse drejt BE-së”, ka theksuar shefja e BE-së në Kosovës.

“Palët duhet të kthehen në tavolinën e negocimit pa asnjë vonesë”, ka shtuar ajo.

Të ngjashme