Apostolova flet për numër të madh të votuesve në Veri

Prishtinë | 11 Qer 2017 | 16:09 | Nga

Teksa kanë bërë vizita edhe në komunat veriore të vendit shefja e Zyrës së BE-së dhe shefi i OSBE-së kanë bërë thirrje për proces të qetë zgjedhor.

Natalya Apostolova, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, por edhe shefi i Misionit të OSBE-së Jan Braathu gjatë vizitave të sotme në veri të vendit kanë bërë thirrje për dalje në zgjedhje dhe për proces të qetë zgjedhor.

“Është ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Jam e kënaqur që në këtë qendër votimi ka numër të madh të atyre që kanë dalë në zgjedhje. Nuk mund të bëj vlerësim, pasi unë jam vetëm njëra nga vëzhguesit, por ajo që po e shohim këtu është se dalja në zgjedhje është e madhe”, tha Natalya Apostolova teksa vizitoi një qendër votimi në Leposaviq.

Edhe shefi i Misionit të OSBE-së tha se gjithçka po shkon në rregull në komunat veriore të vendit.

“Deri tash procesi po shkon i qetë. Shpresoj që kjo do të vazhdojë edhe në pjesën tjetër të ditës dhe nëpër të gjitha vendvotimet e këtyre katër komunave, por edhe nëpjesën tjetër të Kosovës”, tha Jan Braathu.

Ai foli edhe për rolin e OSBE-së në zgjedhjet në veri.

“Fillimisht roli i OSBE-së është që të ofrojë këshilla teknike, përkrahje teknike për procesin, kështu që ne këmi më shumë se 2 mijë pjesëtarë të personelit të OSBE-së aktivë nëpër komunat veriore”, tha Braathu.

Daljen në zgjedhje dhe votimin e të drejtëve e kërkoi edhe Aleksandar Jabllanoviq që themeloi Partinë e Serbëve të Kosovës.

“Pres që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të rregullt të mundshme, pa incidente, siç ndodhi në fushatë. Dëshiroj që qytetarët me disponim të mirë të dalin në ditën e sotme dhe të votojnë për përfaqësuesit e tyre dhe porosia ime është që votën e tyre t’ua japin njerëzve të drejtë”, tha Jabllanoviq.

Ndërsa Sllavko Simiq nga Lista Serbe u kërkoi votuesve në veri të dalin masivisht për të treguar se duan të jenë pjesë e procesit zgjedhor.

“Pres që sot populli serb masivisht të dalë në vendvotime që me familjet e tyre të dalin edhe në Anamoravë, edhe në Kosovën Qendrore, edhe këtu në veri dhe kështu të tregojmë se dëshirojmë të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor në mënyrë që bashkërisht të veprojmë politikisht në periudhën e ardhshme”, tha Simiq.

Zgjedhjet e parakohshme që do të zhvillohen sot, u caktuan pasi Kuvendi i Kosovës me një mocion mosbesimi rrëzoi qeverinë më 10 maj.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 11 qershorit kanë 1 milion e 872 mijë e 941 votues në 889 qendra votimi.

Votues që kanë të drejtë vote për herë të parë janë 118 mijë e 448 persona, ndërsa nga listat janë larguar 33 mijë e 542 persona të vdekur.

Zgjedhjet do të monitorohen nga 30 mijë vëzhgues, 100 nga ta të BE-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme