Apostolova lavdëron punën e EULEX-it: Kosova duhet të jetë falënderuese

Prishtinë | 23 Kor 2020 | 21:15 | Nga Ekonomia Online

Duke folur për misionin e EULEX-it në Kosovë, përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ka thënë se nuk pajtohet që ky mision nuk solli asgjë të mirë në Kosovë.

Ajo ka shtuar se EULEX-i ka pasur kufizime rreth asaj se çfarë ka mund të bënte përgjatë viteve sa qëndroi në Kosovë.

“Por, procesi ligjor si i tillë e bëri të domosdoshëm edhe njëfarë bashkëpunimi nga sistemi i drejtësisë në Kosovë. Pra është komplekse. Por dua që ta përmend edhe atë se EULEX-i nuk përbën vetëm drejtësinë. EULEX-i solli këtu zyrtarë doganorë, EULEX-i e mbështeti dialogun për shumë vjet, përfshirë IBM-në”, ka thënë ajo.

Apostolova shtoi se EULEX-i punoi edhe në marrëveshjen rreth drejtësisë, që është marrëveshje e dialogut.

“Pra, EULEX-i solli shumë dhe po vazhdon të sjellë. Për momentin, EULEX-i ka shkuar përtej funksioneve të veta ekzekutive dhe po ndihmon në këto raste që i janë dhënë gjykatës dhe gjyqësorit. Dhe, po i monitorojnë këto raste, po japim këshilla dhe janë të përfshirë në mjekësinë ligjore që në Kosovë është në fazën fillestare, nuk është e zhvilluar. Mendoj se gjithçka që po bën EULEX-i për momentin është e zakonshme pas gjithë këtyre viteve dhe gjithçkaje që kanë bërë. Janë të fokusuar për ndihmë gjyqësore Kosovës.

Ajo ka thënë se nuk pajtohet me njerëzit që e fajësojnë EULEX-in për të gjitha fushat jofunksionale të gjyqësorit.

Apostolova shton se EULEX-i ka bërë shumë dhe Kosova duhet të jetë falënderuese për ekspertizën e sjellë këtu.

“Vlerësoj se ajo që EULEX-i është duke bërë momentalisht është shumë normale pas gjithë këtyre viteve, dhe gjithçka që ata kanë bërë, ky është vetëm një cikël i asaj se ku janë të koncentruar është shumë ndihmuese për Kosovën. Unë do të mund të argumentoj gjithmonë me njerëzit që janë duke e fajësuar EULEX-in, për gjithë mosfunksionimin në fusha të ndryshme, sepse nuk është e drejtë të thuhet. EULEX-i ka dhënë shumë dhe besoj se Kosova duhet të jetë falënderuese për gjithë këtë ekspertizë që ishte sjellë këtu nga shumë njerëz”, ka shtuar ajo.

Të ngjashme