Apostolova përgëzon institucionet e Kosovës, kërkon të lihen anash debatet e panevojshme

Prishtinë | 05 Pri 2020 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Zyres së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka bërë thirrje që të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme teksa Kosova, ashtu si edhe mbarë bota, përballet me një krizë shëndetësore të paprecedent.

Ajo e ka përgëzuar në të njëjtën kohë deklaratën e përbashkët të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrit në Detyrë për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jeftiq, të lëshuar disa ditë më parë, për ofrimin e mbështetjes për të gjitha komunitetet.

Shefja e Zyres së BE-së theks të veçantë i ka vënë përfshirjes së komuniteteve, të cilat janë “në disavantazh të qasjes së shërbimeve esenciale”.

“Nën rrethanat e tilla emergjente, është koha që të lihen anash dallimet politike dhe debatet e padobishme. Kosova duhet ta fuqizojë bashkëpunimin e saj ndër-institucional dhe bashkëpunimin rajonal, për të mundësuar secilën ndihmë të mundshme për të prekurit nga COVID-19”, i ka thënë ajo.

Në këtë kontekst, ajo e ka përgëzuar deklaratën e përbashkët të lëshuar nga ministri Vitia dhe ministri Jeftiq, më 2 prill, ashtu si edhe të gjitha përpjekjet tjera të institucioneve të Kosovës, “me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe ofrimit të ndihmës për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

“Është tejet e rëndësishme që qytetarët, në tërë Kosovën, në të gjitha komunat, të kenë informata të qartë se cilat shërbime i kanë në dispozicion dhe si mund të ndihmohen për parandalim, ashtu si edhe në rast të infektimit”, ka thënë ajo për koha.net

Apostolova po ashtu e ka përmendur rëndësinë e bashkëpunimit midis të gjitha autoriteteve të Kosovës, duke e quajtur të domosdoshëm për tejkalimin e efekteve të pandemisë. Kjo krahas reagimit dhe bashkëpunimit të të gjithë qytetarëve.

“Shoqëria e Kosovës, njëjtë si shumica e atyre në Evropë dhe nëpër botë, është duke u përballur me krizë shëndetësore të paprecedent, e cila lyps urgjentisht një përgjigje me kohë prej të gjitha autoriteteve të Kosovës, krahas reagimit dhe bashkëpunimit të të gjithë qytetarëve. Vetëm përmes frymës së bashkëpunimit dhe solidaritetit, ne mund të tejkalojmë efektet e pandemisë së COVID-19”, ka thënë ajo..

Të ngjashme