Apostolova: Plotësoni kushtet para aplikimit për status kandidati, mund të refuzohet

Prishtinë | 20 Shk 2018 | 11:13 | Nga Besajana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) nuk mund të bëhet me automatizëm, por vetëm duke u bazuar në merita. Kështu u tha sot në konferencën “Momenti i ri i zgjerimit në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova”, organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se Kosova mund ta aplikojë për statusin kandidat, mirëpo që aplikimi mund të refuzohet, raporton Ekonomia Online

“Kam drojën që menjëherë shtetet njohëse ta refuzojnë atë aplikacion. Duhet të flitet me Qeverinë se kur duhet të aplikohet”, u shpreh ajo.

Apostolova theksoi se anëtarësimi në BE nuk do të bëhet me automatizëm vetëm me merita, prandaj sipas saj, është i rëndësishëm dialogu Kosovë-Serbi e në veçanti lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Bashkimi Evropian nuk do të importojë mosmarrëveshje bilaterale. Kosova dhe Serbia kanë përshpejtuar aktivitetet për përmirësimin e marrëdhënieve, dy presidentet janë pajtuar për përmirësimin e dialogut. Procesi i zgjerimit bazohet në merita, nuk do të ketë automatizëm, zgjerimi varet nga meritat. Duhet të ketë përkushtim më të madh ndaj luftës ndaj krimit dhe korrupsionit, duhet të ketë administrata më të pavarur dhe këto janë kushte thelbësore”.

Sipas saj, vendimi për anëtarësimin e Kosovës në BE duhet të merret pasi të sqarohet situata në terren.

“Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në BE duhet të merret pasi që të qartësohet situata në terren. Pritjet kanë qenë më të mëdha por duhet të dimë si është situata në terren. Shtetet e Ballkanit Perëndimorë t’i bashkohen BE dhe kjo është fjalia e parë në strategjinë e BE-së. Strategjia konfirmon edhe rrugën evropiane të Kosovës dhe tregon se çfarë duhet të bëjë Kosova. Kosova nuk ka dallim nga vendet e rajonit, dhe kushtet janë të njëjta për të gjithë”.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se Kosova do të aplikojë për status kandidat në fund të 2018.

“Sa i përket statusit të kandidatit qeveria ka thënë qe Kosova do tq aplikojë në fund të vitit 2018, mirëpo deri atëherë të ndërtojmë një momentum ku do të preken reformat. Kur kemi folur për stabilizim asociimin kemi marr të tilla reagime, sepse edhe nga vendet mike na është thënë që s’është koha sepse keni 5 vende që s’ju kanë njohur mirëpo ja ku jemi sot. Rruga është e vështirë mirëpo mendoj qe do të ja arrijmë”.

Sipas saj, është e rëndësishme që strategjia e zgjerimit të BE-së të shihet në aspektin pozitive.

“Janë disa aspekt që duhet të shihen si pozitive sepse Kosova për herë të parë përfshihet në strategji si shtete të Ballkanit Perëndimorë. Kjo për neve është sinjal pozitiv. Për herë të parë në një dokument të zgjerimit e shohim që Kosova është e trajtuar si vendet tjera. Për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimorë kërkohen reforma substanciale”.

“Aspekti i dytë është që rruga e procesit të integrimit të Kosovës është i ndarë nga procesi i integrimit të Serbisë. Çështja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një përfitim. Meqenëse strategjia thotë që nuk do të importojë probleme bilaterale është mesazh i qartë për Serbinë që nuk do të anëtarësohet pa njohur Kosovën”.

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me gazetarët Augustin Palokaj dhe Gjeraqina Tuhina, kanë prezantuar publikimin “Momenti i ri për zgjerimin në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova”.

Të ngjashme