Apostolova takon Grupin e AAK-së, zgjedhjet po e ngadalësojnë punën e Kuvendit

Prishtinë | 17 Tet 2017 | 15:24 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, vazhdoi takimet me grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovë. Ajo takoi pasdite përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me ç’rast shprehu shqetësimin e BE-së për numrin e vogël të seancave të Kuvendit dhe vonesat në reformat evropiane.

“Jemi të brengosur sepse Parlamenti ka pasur vetëm një ose dy seanca. Kjo nuk duhet të ndodhë”, tha Apostolova, gjatë takimit me shefin e GP të Aleancës, Ahmeti Isufi, dhe deputetin Daut Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se janë disa ligje që presin të miratohen, që janë kruciale për reformat ekonomike dhe evropiane të Kosovës.

“Zgjedhjet e 11 qershorit e kanë ngadalësuar procesin e reformave dhe tani jemi duke hyrë në një proces të zgjedhjeve lokale dhe kjo na qon në vonesa të reja. E dini se e keni nënshkruar marrëveshjen e Instrumentit të Paraanëtarësimit (IPA) dhe ne po ju japim para për reforma. Por, këto para nuk do të arrijnë në Kosovë pa i parë edhe disa reforma dhe janë disa kritere që duhet plotësuar”, tha Apostolova.

“Ne do të donim që të shohim rrogat e shërbyesve civilë të jenë të nivelizuara. Bordet duhet të zgjidhen në mënyrë transparente. Nuk duam që të ketë përfshihet politika dhe nepotizmi. Këto janë disa prej indikatorëve për të cilëve ne jemi duke punuar”, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, Apostolova lavdëroi punën e kryeministrit Ramush Haradinaj, duke thënë se janë duke parë punë të ndjeshme të cilat kryeministri, i cili vjen nga radhët e AAK-së, është duke i trajtuar. “Jemi duke e parë edhe ndikimin social që është duke pasur ky angazhim i kryeministrit”, u shpreh shefja e BE-së në Kosovë.

Ahmet Isufi, shef i Grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Kuvendin e Kosovës, tha se janë të vetëdijshëm për vonesat, mirëpo shtoi se janë të përkushtuar të punojnë në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik në Kosovë.

“Jemi të vonuar në disa procese, sidomos si parlament, të cilat kanë ndikuar në rishikimin e buxhetit. Tani kur është krijuar qeveria të cilin e prin Ramush Haradinaj pjesë e subjektit tonë, jemi zotuar se do të punojmë shumë në Parlamentin e Kosovës, në mënyrë që ligjet të cilat duhet të përpunohen, po ashtu, edhe në investimet që do t’i bëjmë në të ardhmen, në mënyrë që të ketë investim ekonomik ashtu siç e meriton Kosova dhe qytetarët e Kosovës”, tha Isufi.

E Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, tha se edhe ata janë bashkëpërgjegjës për disa procese që nuk kanë shkuar më tutje.

Mirëpo shtoi se janë të përkushtuar që të punojnë në prioritetet, si përmbyllja e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, shëndetësia, bujqësia, e fusha të tjera, dhe të gjejnë zgjidhje.

Të ngjashme